POLITIKË /

Nga juristi i njohur dhe zv.sekretari i kryeministrisë tek ish-ambasadori, cilët janë ministrat e rinj të qeverisë

Shkruar nga Versus
Nga juristi i njohur dhe zv.sekretari i kryeministrisë tek ish-ambasadori,
Ermal Nufi, Erjona Ismaili, Ferit Hoxha, Enea Karakaçi

Mes emërimeve të bëra nga kryeministri Edi Rama në disa ministri të qeverisë, bie në sy fakti se 4 prej tyre janë emra që nuk njihen në angazhimin politik.

Duke nisur nga ministri i ri i Mbrojtjes, Ermal Nufi i cili pavarësisht se ka mbajtur poste shumë të rëndësishme, nuk ka qenë i njohur për publikun e gjerë. Nufi konsiderohet si një ndër juristët më të spikatur i cili ka mbajtur më herët postin e drejtorit të kabinetit të zv.kryeministres, këshilltarit ligjor në ministrinë e Energjitikës dhe Infrastrukturës si dhe të zv.sekretarit të përgjithshëm të Këshillit të Ministrave. Që prej vitit 2013, është licencuar si avokat nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë, ku ka shërbyer edhe si anëtar i Këshillit Drejtues të Dhomës së Avokatëve të Tiranës. Nga viti 2021 z. Nufi ka mbajtur pozicionin e këshilltarit ligjor të ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe ka shërbyer në pozicione të ndryshme brenda administratës publike shqiptare. Me vendim të Këshillit të Ministrave, ai është emëruar kryetar i Bordit Menaxhues të Autoritetit Rrugor Shqiptar, anëtar i Këshillit Drejtues të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.

Erjona Ismaili është emëruar ministre për Marrëdhëniet me Parlamentin duke zëvendësuar Toni Gogun. Ajo u zgjodh deputete në qarkun e Vlorës në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Ismaili u bë e njohur për paraqitjen në podkastin e Ramës ku tregoi sesi ishte njohur me kryeministrin pas një sherri në telefon.

Ministër i ri i Infrastrukturës dhe Energjitikës është emëruar Enea Karakaçi duke zëvendësuar Belinda Ballukun. Karakaçi ka mbajtur më herët pozicionin e Drejtorit të Përgjithshmëm për Politikat dhe Zhvillimin e Energjisë dhe Industrisë në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë. Formimi i tij është ligji për çështje energjie. Karakaçi i mori përvojat e para në Entin Rregullator të Energjisë, i cili është një autoritet i pavarur rregullator për sektorin energjitik shqiptar.

Në krye të dikasterit të diplomacisë si ministër i Jashtëm u emërua Ferit Hoxha, i cili zëvendëson Elisa Spiropalin.Hoxha ka mbajtur së fundmi postin e ish-ambasadorit të Shqipërisë në OKB. Ai u bashkua me Shërbimin e Jashtëm të Shqipërisë në vitin 1991 dhe ka qenë aktiv në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare që atëherë. Nga viti 1991 deri në vitin 1995, ai mbuloi marrëdhëniet e Shqipërisë me Bashkimin Evropian në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë. Në vitin 1995, shërbeu si Këshilltar në Misionin e Shqipërisë në Kombet e Bashkuara, në Nju Jork. Nga viti 1996 deri në vitin 1998, ai mbajti pozitat e Drejtorit të Marrëdhënieve Multilaterale në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë. Në vitin 1998 dhe 2001, shërbeu si Ambasador i Shqipërisë në Bashkimin Evropian, Ambasador i Shqipërisë në Belgjikë dhe jo-rezident në Luksemburg. Nga viti 2001 deri në vitin 2006, ai ishte Ambasador i Shqipërisë në Francë, përfshirë edhe jo-rezident në Portugali, Algjeri dhe Monaco. Ndërmjet vitit 2006 dhe 2009, ai mbajti pozitat e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Punëve të Jashtme, pozita më e lartë e shërbimit civil. Gjatë kësaj periudhe, ai shërbeu gjithashtu si Koordinator Kombëtar për Aleancën e Civilizimeve dhe ishte Guvernatori i Shqipërisë në Bordin e Guvernatorëve të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) (2007 – 2008). Versus.al

Poll