Kryeministri Edi Rama tha se qeveria po punon për të hyrë drejtpërdrejt në tregun e naftës me një kompani publike, në mënyrë që të shmangen çmimet arbitrare dhe të forcohet kontrolli mbi sasitë që qarkullojnë jashtë sistemit zyrtar.
Ai theksoi se po bashkëpunohet edhe me një kompani nga Emiratet e Bashkuara Arabe për gjurmimin dhe formalizimin e tregut të naftës.
Në fjalën e tij, Rama u shpreh se një pjesë e naftës në vend mbetet jashtë radarëve të shtetit, ndërsa një tjetër problem është nafta tranzit që hyn në Shqipëri dhe më pas mbetet në treg në mënyrë të paligjshme.
Sipas tij, zgjidhja synon që shteti të ketë më shumë kontroll dhe që kompania publike të ndikojë në çmim mbi bazën e bursës, jo të praktikave arbitrare.
Kryeministri Rama: Ne kemi problem naftën. Por nafta është problem gjithëandej, për shkak të luftës. Unë e kam thënë edhe më parë që ne do të hyjmë në tregun e naftës me një kompani publike. Do të hyjmë për të garantuar që qytetarët, konsumatorët tanë të karburanteve, nuk detyrohen të paguajnë më shumë sesa ju takon dhe për të siguruar që rezerva... Edhe kjo është një koincidencë sepse edhe ligji për rezervën strategjike që duhet të mbajë shteti, është në procesin e konsultimit. Kemi pasur një naftë që markohej, që vendosej një komponent kimik, për të identifikuar naftën që hyn në mënyrë legale dhe jo kontrabandë. Ishte një koncesion i trashëguar, ne u përpoqëm ta rregullonim, por ajo ishte bojë që hollohej kollaj.
Tani bashkë me kompaninë publike që kemi krijuar, kemi krijuar një tjetër kompani publike bashkë me të njëjtën kompani që ka shteti në Emiratet e Bashkuara, ne do të nxjerrim një tjetër ngjyrues që është i pamanipulueshëm. Do të ndihmojë shumë kjo për të formalizuar deri në fund tregun e naftës. Sepse ka një sasi nafte që është jashtë radarëve të shtetit. Tjetra që ndodh me naftën është e ashtuquajtura naftë tranzit, që hyn në Shqipëri për të shkuar në vendet që janë në kufij tokësorë me Shqipërinë dhe pastaj ngelet në Shqipëri në mënyrë ilegale. Edhe për këtë kemi një produkt me po të njëjtën kompani, ku shteti shqiptar ka shumicën e aksioneve, për të ndjekur gjithë naftën tranzit që deri më sot është ndjekur me makina. Këto do të kenë impaktin e tyre pozitiv. Ne duam që kompania publike të jetë furnizues në treg dhe të përcaktojë rregullat e lojës duke imponuar jo një çmim arbitrar, por një çmim të bazuar te bursa./Versus.al

