Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi u pyet nga mediat lidhur me njoftimin e shpërndarë dje nga ambasada e SHBA në Shqipëri e cila u bënte thirrje qytetarëve amerikanë në vendin tonë që të kishin kujdes pasi regjimi iranian mund të kryente një sulm në Shqipëri.
Nufi tha se nuk ka vend për t’u shqetësuar dhe se i njëjti njoftim është shpërndarë nga ambasada e SHBA për të gjithë amerikanët në shtetet e Evropës.
“Besoj se nuk ka vend për t’u shqetësuar. Ambasada ka bërë deklaratën e saj në përputhje me masat e sigurisë për qytetarët amerikanë. Vend për të patur kujdes patjetër që ka, kjo është e gjithëkohshme për më tepër në një kohë të tillë.
Besoj se kjo kërkesë ka shkuar për të gjitha ambasadat e SHBA në Evropë dhe se është për të gjithë qytetarët amerikanë në gjithë Evropën jo vetëm këtu. Është një informacion i dhënë për të gjitha ambasadat sepse ne jemi cënuar nga veprimtaria e lidhur me atë shtet që ka cënuar infrastrukturën tonë kritike pavarësisht se të gjitha sistemet janë funksionalë”- deklaroi Nufi. Versus.al


