Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi të enjten se Serbia ka synuar dhe vazhdon të synojë destabilizimin e sigurisë në Kosovë. Ajo tha se ky vlerësim është mbështetur në informacionet e marra nga institucionet e sigurisë dhe është ndarë edhe me aleatët ndërkombëtarë, përfshirë SHBA-në.Në një konferencë për media pas kthimit nga vizitat në Shtetet e Bashkuara dhe Letoni, Osmani konfirmoi se gjatë qëndrimit në Uashington kishte diskutuar me zyrtarë amerikanë për rrezikun nga Serbia. Ajo iu referua edhe deklaratës së presidentit amerikan Donald Trump, i cili ka thënë se e ka parandaluar një përshkallëzim të mundshëm në rajon në “javët e fundit”.
“Që nga fundi i majit kemi pasur informacione specifike për veprime të Serbisë pranë kufirit. Kam ndërmarrë hapa të menjëhershëm dhe kam koordinuar me institucionet e sigurisë. Të gjitha strukturat tona janë mobilizuar për mbrojtjen e vendit,” theksoi Osmani.
Presidentja shtoi se një pjesë e informacioneve janë të klasifikuara, por janë ndarë me partnerët ndërkombëtarë për të parandaluar çdo përshkallëzim të mundshëm. Ajo kritikoi edhe raportimet që pretendonin se qytetarët nuk ishin të informuar për rreziqet, duke theksuar se çështja është adresuar vazhdimisht nga Presidenca dhe institucionet e tjera të sigurisë.
Deklaratat e saj vijnë pas mohimit të Serbisë për çdo përfshirje në tensione të mundshme, të cilat Osmani i cilësoi si pjesë e propagandës së vazhdueshme serbe.
“U siguroj qytetarëve se nuk ka arsye për panik. Institucionet janë në krye të detyrës. Kërcënimet janë të vazhdueshme, por situata është nën kontroll,” deklaroi Osmani.
Përplasja me Richard Grenell
E pyetur për akuzat e diplomatit amerikan Richard Grenell, i cili e akuzoi se po keqinterpreton deklaratat e Trumpit, Osmani u përgjigj se nuk ka shtrembëruar asgjë, por vetëm ka ndarë perceptimin e saj si presidente.
“Nuk kam interpretuar deklaratat e presidentit Trump. I jam përgjigjur pyetjeve dhe i kam falënderuar Shtetet e Bashkuara për rolin e tyre në paqen dhe sigurinë në Ballkan,” tha ajo, duke cituar fjalët e Trumpit nga 25 qershori 2025, ku ky i fundit tha: “U morëm me Indinë, Pakistanin, Kosovën dhe Serbinë.”
Trump, në një tjetër deklaratë më 15 qershor, kishte thënë se gjatë mandatit të tij të parë kishte ndaluar një konflikt serioz midis Kosovës dhe Serbisë, që ishte në prag shpërthimi. /Versus.al







