Kandidati i Partisë Socialiste, Xhemal Qefalia i cili nuk arriti të siguronte mandatin e deputetit në zgjedhjet e 11 majit, ka komentuar rezultatet në një intervistë për studion e “News 24”, duke theksuar se, pavarëisisht humbjes së tij, fitorja ishte madhështore. Ai shprehet se s’ka qenë luftë brenda llojit por një garë dhe veçon si më të rëndësishme fitoren e PS-së.
“Falënderoj të gjithë ata që më votuan. Nuk ishte luftë brenda llojit, por ishte garë. E rëndësishme është fitorja e PS-së. Partia Socialiste korri sukses të jashtëzakonshëm. Kryeministri Edi Rama e paralajmëroi se shqiptarët janë më pranë Europës. Jam i surprizuar nga diaspora, nuk e prisja. Kam marrë vota nga vende që as kam qenë atje, më votonin nga Gjermania, Italia etj, është kënaqësi e veçantë. Shqiptarët në diasporë nuk janë militantë, votojnë me gjakftohtësi dhe zgjedhin progresin e zhvillimin. Është abuzuar me kërkesën tonë për rinumërim votash, nuk është dashur aspak ndërhyrja e kryeministrit për t’u tërhequr nga kërkesa. E kisha tërhequr kërkesën për të parë pamjet e numërimit të votave edhe përpara se të reagonte Rama. E morëm mandatin e katërt, sepse në tre mandate kemi punuar dhe kemi bërë reforma të vlerësuara nga BE-ja dhe PS është e vetmja forcë politike që mund ta fusë Shqipërinë në Bashkimin Europian. Humbësi i zgjedhjeve, PD, duhet ta pranonte rezultatin.”- tha ai.
Kujtojmë se Qefalia së bashku me Etilda Gjonin u tërhoqën sot nga kërkesa për pamjet filmike në KQZ pas reagimit të Ramës.







