
Belinda Balluku dorëzoi sot detyrën si ministre e Energjitikës dhe Infrastrukturës tek pasuesi i saj, Enea Karakaçi i cili sot bëri betimin në presidencë.
Ndërsa foli për eksperiencën e saj gjatë drejtimit të kësaj ministrie, Balluku nuk ngurroi të përqendrohej edhe tek hetimet që po bëhen ndaj saj nga ana e SPAK. Duke nënvizuar se për asnjë moment nuk do të sulmojë drejtësinë edhe kur ajo prek interesat personale, deputetja tha se ndaj saj po bëhet një gjyq publik sa i takon aludimeve dhe lajmeve të shpërndara për pasurinë e saj.
“Unë besoj se çdo çështje juridike nuk zgjidhet as në media sociale, as në banaqe mediatike por duhet të ketë rrjedhën e saj siç e parashikon kushtetuta apo ligji. Kam zgjedhur të mos analizoj, të mos komentoj dhe të jem konsistente në qëndrimin tim sa i takon drejtësisë.
Nëse do ti ktheheni deklaratave të mia nuk do gjeni kurrë një deklaratë të kundërshtojë tjetrën. Besoj se drejtësia e re do të jetë e lirë dhe e pavarur, si produkt i vizionit të Edi Ramës. Ajo reformë u krye për t’i kthyer besimin qytetarëve te një drejtësi e drejtë. Unë besoj te kjo drejtësi, nuk do anatemoj kur kjo drejtësi prek interesat e mia personale.
Prokurorë e gjyqtarë do bëjnë detyrat e tyre pa ndikuar nga gjyqet publike, nga të pavartëtat apo gënjështrat. Hetimi që ka nisur prej muajsh nuk e kam penguar kurrë as në pozicionin tim si ministër apo si qytetare e republikës. Të vijojë të nxjerrë të vërtetën. Nuk kam as 300 as 30 apartamente.
Nuk kam as limuzina as jahte as helikoptere. Të gjitha këto janë pjesë e një gjyqi publik që bëhet me lehtësinë me të madhe këtë por për të thënë të drejtën unë jam rritur me gjyqe publike. Ndoshta kurrizi ma mban sepse jam trajnuar dhe kalitur që e vogël. Unë di të bëj punën time. Kam ngarkuar qeverinë shqiptare me një peshë që nuk e meriton për shkak të rezultateve që kjo qeveri ka sjellë”-u shpreh Balluku. Versus.al

