Shqiptarët iu drejtuan kutive të votimit më 11 maj për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në Kuvendin e ri. Procesi i votimit u mbyll në orën 19:00 dhe menjëherë pas kësaj nisi numërimi i votave në mbarë vendin. Ndërkohë që janë numëruar mbi gjysma e kutive, rezultatet paraprake kanë filluar të japin një pamje të qartë të përbërjes së ardhshme të Parlamentit.
Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), projeksionet aktuale tregojnë se Partia Socialiste e Shqipërisë (PS) është në rrugë të sigurt për të fituar 83 mandate, duke ruajtur shumicën e nevojshme për të qeverisur e vetme.
Koalicioni Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore (PD-ASHM) renditet i dyti, me 51 mandate të parashikuara deri në këtë fazë të numërimit, duke mbetur forca kryesore opozitare.
Partia Socialdemokrate (PSD) e Tom Doshit, e cila ka ruajtur bastione të caktuara elektorale, parashikohet të marrë 3 mandate, duke u renditur si forca e tretë në Kuvend.
Ndërkohë, tri forca të reja politike kanë arritur të sigurojnë nga 1 mandat secila:
• Nisma Shqipëria Bëhet, e drejtuar nga Adriatik Lapaj,
• Lëvizja Bashkë
• Partia Mundësia, që garoi për herë të parë në këto zgjedhje. /Versus.al/







