POLITIKË /

Paketë e re masash për mbrojtjen e territorit, Rama: Do të na japë më shumë instrumente! Aksioni do të vazhdojë deri në fund të mandatit

Shkruar nga Versus

Paketë e re masash për mbrojtjen e territorit, Rama: Do të na

Kryeministri Edi Rama ka qenë sot i pranishëm në prezantimin e paketës së re të masave ligjore për mbrojtjen e pronës dhe territorit. Ai tha se miratimi i kësaj pakete do të jetë ndër vendimet e para të qevrisë së re, ndërsa theksoi se përmbajtja e saj ka të bëjë me një sërë masash që do t’i japin mundësi institucioneve instrumenta të tjerë për të mbrojtur territorin.

Për këtë gjë ai tha se edhe aksioni i nisur për shembjen e ndërtimeve pa leje dhe lirimin e hapësirave publike të zaptuara nga bizneset private mund të zgjasë në kohë deri në përfundimin e mandatit të katërt qeverisës. Sipas Ramës, kjo paketë e re ligjore do të ndalojë ndërhyrjet brutale në prona të caktuara.

“E organizojmë këtë takim me përfaqësues nga institucionet dhe grupet e interesit lidhur me një thellim të reformës për mbrojtjen e territorit përmes një pakete të re ndërhyrjesh ligjore që do të jenë në tryezën e qeverisë së re si një ndër vendimet më të para. Dua t’ju bëj me dije se për këtë paketë të re ligjore që do të prezantojmë është punuar me shumë intensitet nga një grup i gjerë ekspertësh, juristësh dhe me ndihmën e disa deputetëve që kanë patur aktivitet të lidhur me komisionin e ligjeve.

Besoj shumë se siç nuk ka asgjë të përkryer, as kjo paketë nuk është e përkryer por është një tërësi masash që do të na japin mundësinë të kemi në dorë instrumenta të reja për të mbrojtur territorin duke filluar nga suksesi përfundimtar i një offensive që do të zgjasë aq sa të jetë e nevojshme mbase gjatë gjithë mandatit të ri, për ndalimin pa kthim të çdo frymëzimi për të ndërtuar pa leje, deri tek mbrojtja e autorësisë së projekteve arkitektonike. Të cilat janë deformuar dhe përdhunuar në formën e tyre nga ndërhyrja e ndërtuesve që i kthen në formale vendimmarrjet që bëjnë organet e qeverisjes vendore. Dhe një tjetër pasojë e konsiderueshme, mashtrimi që iu bëhet blerësve duke iu shitur objektin që ka marrë leje me pamjet e lejes së marrë, ndërkohë që në fund fare ai objekt është si kushëri shumë i largët që sapo ka dalë nga berberi i qethur e i rruar totalisht dhe me trupin gjithë vraga nga shkelmat dhe grushtat. Kështu janë edhe projektet që deformohen si një kushëri i largët që iu vjen në këtë gjendje”- deklaroi Rama. Versus.al

 

Poll