Kryeministri Edi Rama gjatë takimit që pati me kryebashkiakët e vendit në Durrës, e pranoi se në gjithë territorin e vendit ka patur një ‘bum’ të ndërtimeve pa leje përpara zgjedhjeve.
Ai tha se vetëm në Theth, policia ka bërë 40 denoncime të cilat sipas tij janë “injoruar” nga prokuroria e rrethit. Duke reaguar edhe për shkresën e prokurores Elsa Gjelit drejtuar KLP, Rama e cilësoi atë si “ese filiozofike shfajësimi”, ndërsa tha se edhe policitë bashkiake mbeten struktura shumë problematike.
“Në muajt para dhe gjatë zgjedhjeve ka patur një bum ndërtimesh pa leje si rezultat i përgatitjes së sezonit të ri turistik. Jo një, por rreth 40 denoncime janë bërë nga policia e shtetit për këto ndërtime. Pra në një aspekt, policia e shtetit ka funksionuar. Struktura e policisë ka denoncuar ndërtimet pa leje në prokurori dhe siç është bërë e ditur publikisht në një rast të një flagrance spektakolare ku nuk është ndërtuar thjesht një ngrehinë por një fshat i tërë turistik, në mes të Thethit një prokurore me mbiemrin Gjeli ka vendosur mosfillimin e hetimeve. Ka refuzuar të shohë se për çfarë bëhet fjalë dhe ka bërë një ese filozofike mbi pafajësinë e ndërtimit pa leje. Ndërkohë që ndërtimi pa leje në Shqipëri është vepër penale. Në një zonë si Thethi është vepër penale edhe më e rëndë. Nga ana tjetër IKMT ka filluar të veprojë, por duhet thënë që qoftë në Theth, qoftë në Vlorë, qoftë në territore të tjera, dobësia e madhe e inspektoriatit… Tirana psh është një qytet ku ka një fluks të madh të zaptimit të hapësirave ku bëhet biznes. Qoftë policitë bashkiake janë struktura shumë problematike”- u shpreh Rama.
Më tej tha se shkak për ndërtimet pa leje janë bërë edhe mos-funksionimi i duhur i strukturave të drejtësisë.
“Për gjithë ata që thonë përse u kujtuan tani dhe përse i lamë etj etj, kjo është betejë e përditshme. Nëse struktura e drejtësisë nuk është në dispozicion të kësaj përpjekje, por është si kullonjëse makaronash ku gjërat rrjedhin dhe faktet mbeten në territor, atëherë kjo është një përpjekje që natyrshëm do shfaqet në këtë formë hera herës derisa të gjithë ta kuptojnë se nuk ka llogari që të nxjerr fitues me ndërtime pa leje”- shtoi kreu i qeverisë. Versus.al







