POLITIKË /

Partitë arrijnë vijën e "finishit", sot heshtje zgjedhore! Nesër sovrani vendos për qeverisjen e 4 viteve të ardhshme

Shkruar nga Versus

Partitë arrijnë vijën e "finishit", sot heshtje

Me mbylljen e fushatës elektorale mbrëmjen e djeshme nga dy partitë e mëdha, vendi sot është në heshtje zgjedhore, ndërsa të dielën më 11 maj vendos me votë për qeverinë e 4 viteve të ardhshme.

Gjatë ditës së sotme, ndalohen aktivitetet politike të partive ndërsa nesër 11 subjekte garojnë për të fituar shumicën e 140 mandateve në Kuvend nëpërmjet një formule të re zgjedhore, ku secila parti garon me 186 kandidatë në listën e votimit, prej të cilëve 46-të janë në listat e mbyllura.

Në total 3.7 milionë shqiptarë kanë të drejtë vote për Kuvendin e ri, ndërsa për herë të parë, në këto zgjedhje ka votuar me postë edhe diaspora, me 245.935 emigrantë të regjistruar. Sot është afati i fundit i dërgimit të zarfeve në Greqi ndërsa duhet të kenë mbërritur deri të nesërmen në orën 19:00 përndryshe konsiderohen të pavlefshme.

Kjo fushatë elektorale, u karakterizua nga “memet” në rrjetet sociale dhe etiketimet e vazhdueshme sidomos nga ana e kryeministrit dhe qeverisë kundrejt opozitës. Videot me ofendime dhe kërcime nëpër mitingje elektorale, bënë xhirot e rrjetit, ndërkohë që kritikat ishin të shumta për faktin e mungesës së llogaridhënies nga qeveria dhe nxjerrjen e një bilanci konkret. Premtimi kryesor i PS ishte vijimi i procedurave për anëtarësim në BE. Ndërsa Sali Berisha nga ana tjetër, ka premtuar ndërhyrje në pothuajse të gjitha fushat e veprimtarisë së vendit, duke nisur nga rritja e pensioneve, tek politikat për çiftet e reja dhe uljen e taksave.

Të dielën i mbetet në dorë sovranit që të vendosë mbi fatin e 4 viteve të ardhshme të vendit, ndërsa në garë ka edhe disa parti të reja të cilat kanë mbledhur jo pak mbështetës në mitingjet e tyre duke propozuar program ekonomik dhe social për nxjerrjen e vendit nga tranzicioni i stërgjatur. Versus.al

Poll