Në një atmosferë politike të ndezur dhe me pjesëmarrje masive, dy forcat kryesore politike në Shqipëri, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike, mbyllën zyrtarisht fushatat e tyre elektorale në kryeqytet, përpara zgjedhjeve të përgjithshme të 11 majit.
Edi Rama: “Tirana, simbol i transformimit europian”
Në mitingun përmbyllës të Partisë Socialiste, zhvilluar në qendër të Tiranës, kryeministri Edi Rama e cilësoi fushatën si një udhëtim të shpresës dhe zhvillimit. Ai theksoi arritjet e qeverisë në infrastrukturë, arsim dhe turizëm, duke i kërkuar qytetarëve një mandat tjetër për të “çuar përpara projektin europian të Shqipërisë”.
Rama u ndal veçanërisht tek ndryshimet që ka pësuar Tirana, e cilësuar nga ai si një qytet model për rajonin. “Sot jemi më pranë se kurrë anëtarësimit në BE. Shqipëria është një histori suksesi që duhet vazhduar, jo prishur”, deklaroi ai.
Berisha & LaCivita: “Koha për të rrëzuar regjimin e korrupsionit”
Në anën tjetër të qytetit, Partia Demokratike mbylli fushatën me një miting të madh ku mori pjesë lideri Sali Berisha dhe strategu amerikan Chris LaCivita. Fjalimet e tyre u përqendruan në akuza të drejtpërdrejta ndaj qeverisë Rama, të cilën e quajtën “një regjim të kapur nga oligarkia dhe krimi”.
“LaCivita tha se Shqipëria ndodhet në një udhëkryq historik dhe u bëri thirrje qytetarëve të refuzojnë edhe një mandat tjetër për Edi Ramën, duke e cilësuar qeverisjen e tij si shkatërruese për ekonominë dhe familjen shqiptare. “Ju keni në dorë të shpëtoni vendin tuaj”, theksoi ai.
Berisha nga ana e tij ritheksoi angazhimin për një “qeveri transparente, të njerëzve dhe për njerëzit”, duke premtuar luftë të pakompromis kundër korrupsionit dhe rikthim të drejtësisë së vërtetë.
Pritshmëri të larta për zgjedhjet e 11 majit
Zgjedhjet parlamentare të 11 majit konsiderohen vendimtare për të ardhmen politike të Shqipërisë. Fushata ka qenë e ngarkuar emocionalisht, me retorikë të ashpër dhe ndasi të theksuara mes dy kampeve kryesore. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka konfirmuar gatishmërinë për organizimin e votimit, ndërsa pritet një pjesëmarrje masive në votime.
Tashmë, fjalën e fundit e ka populli shqiptar. /Versus.al/








