Në mbledhjen e djeshme Kryesia e Partisë Demokratike vendosi për grupet e punës që do të merren me fushatën elektorale në qarqe të caktuara, duke bërë edhe një ndryshim emrash të drejtuesve.
Disa ditë më parë, 36 funksionarë të PD u caktuan nën drejtimin e Belind Këlliçit përsa i takon fushatës elektorale në qarkun e Tiranës. Ndërsa tashmë pas dekretimit të datës së zgjedhjeve parlamentare që do të mbahen në 11 maj, Berisha ka firmosur disa ndryshime sa i takon drejtuesve politikë në qarqe.
Në Durrës, drejtues politik nuk do të jetë më Oerd Bylykbashi, por Gent Strazimiri ndërsa ende nuk janë caktuar emrat që do të jenë në ndihmë të tij gjatë fushatës elektorale.
Ndërsa për qarkun e Elbasanit, drejtues është caktuar deputeti Tomor Alizoti, teksa në grup do të jenë edhe 24 persona të tjerë në listë shtabi, mes tyre shumë deputetë si Aurel Bylykbashi, Dashnor Sula, Lefter Gështenja, Zheni Gjergji apo Qani Xhafa.
Lista e grupit të punës në qarkun e Lezhës prihet nga deputeti dhe nënkryetari Agron Gjekmarkaj, i cili si drejtues do të ketë në ndihmë edhe 12 funksionarë politikë të partisë deputetet Elda Hoti dhe Lindita Metaliaj.
Në Berat drejtues është caktuar Eno Bozdo, i mbështetur nga deputeti Kasëm Mahmutaj dhe 4 të tjerë. Në degët Kavajë dhe Rrogozhinë është zgjedhur drejtues kryebashkiaku Fisnik Qosja, që do ndihmohet nga Shkëlqim Hoxha, Hekuran Xhani dhe Rudin Hylviu.
Qarku i fundit ku është përzgjedhur shtabi për zgjedhjet e 2025-s është i Kukësit, me drejtues deputetin Flamur Hoxha dhe ndihmës Isuf Çelën, Miftar Dautin, Nazlie Laçin dhe Besa Manajn.
Në arsyetimin e dhënë për caktimin e datës 11 maj për zgjedhjet parlamentare, presidenti Bajram Begaj bëri me dije se shkak themelor ka qenë nevoja e shprehur nga KQZ për të shfrytëzuar gjithë kohën në dispozicion që të përgatitet infrastruktura e nevojshme për votën e Diasporës. Versus.al








