Partia Demokratike dhe koalicioni PD-ADSHM i kanë drejtuar një kërkesë zyrtare Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), përmes së cilës kërkojnë vënien në dispozicion të pamjeve filmike nga të gjitha qendrat e votimit në vend, si dhe informacion të detajuar mbi mënyrën e kthimit të zarfeve me votat e diasporës.
Në dokumentin e dorëzuar nga përfaqësuesi ligjor i PD-së, Franc Nuri, dhe protokolluar më 4 korrik, theksohet se kjo kërkesë është bërë në mënyrë të përsëritur dhe deri më tani nuk ka marrë përgjigje nga ana e institucionit. Në të njëjtin dokument, PD njofton edhe praninë ndërkombëtare të OSBE/ODIHR mbi situatën, duke pretenduar mungesë transparence dhe vonesa të qëllimshme në zbatimin e ligjit zgjedhor.
Sipas opozitës, një pjesë e pamjeve të siguruara deri tani përmbajnë prerje të qëllimshme, veçanërisht në momentet kyçe të procesit të votimit, duke ngritur dyshime mbi manipulimin e mundshëm të votave. Në të njëjtën kohë, PD kërkon sqarim nëse votat e diasporës janë kthyer sipas procedurave zyrtare përmes DHL-së, apo janë dorëzuar jashtë rrugëve të përcaktuara.
Partia Demokratike dhe kreu i saj, Sali Berisha, që prej ditës së zgjedhjeve më 11 maj, kanë vijuar të denoncojnë atë që e cilësojnë si “farsë elektorale”, duke akuzuar për manipulim masiv të rezultatit dhe duke ndërmarrë një fushatë ndërkombëtare në institucionet europiane, përfshirë Parlamentin Europian dhe Asamblenë e OSBE-së.
Ndërkohë, të gjitha institucionet përgjegjëse për procesin zgjedhor – KQZ, Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) dhe Kolegji Zgjedhor – kanë rrëzuar pjesën më të madhe të ankesave të PD-së. Edhe në rastet ku është pranuar numërimi i pjesshëm, kryesisht në qarqet Tiranë, Fier dhe pjesërisht Durrës, nuk ka pasur ndryshim mandatesh midis subjekteve politike. Në disa raste janë konstatuar mosmarrëveshje të brendshme në radhët e PD-së për rezultatet e kandidatëve.
Në përfundim, rezultatet e zgjedhjeve të 11 majit janë certifikuar në tetë qarqe dhe KQZ ka shpërndarë mandatet për partitë garuese. Megjithatë, kërkesa më e fundit e opozitës pritet të shqyrtohet nga ana e KQZ-së në ditët në vijim. /Versus.al/







