
Në Konferencën e Kryetarëve është miratuar sot kërkesa e bërë nga Partia Demokratike për mocion me debat sa i takon situatës së sigurisë në vend dhe masat kundër krimit të organizuar.
Mazhoranca kërkoi që debate të shtyhej për në sesionin tjetër parlamentar, por demokratët këmbëngulën që mocioni të zhvillohej siç e parashikon rregullorja, brenda 30 ditësh. Për pasojë u ra dakord që mocioni të mbahet në seancën e 18 dhjetorit dhe që debati të zgjasë deri në 120 minuta.
“Ne nuk mund ta shtyjmë, sepse rregullorja përcakton që mocioni duhet të zhvillohet brenda 30 ditëve. Ne kemi dëgjuar institucionet e sigurisë, por mocioni lidhet me qeverinë. Pra, kërkon të njihet dhe të debatohet mbi masat që ka marrë qeveria. Kërkesa vjen në kuadër të raporteve ndërkombëtare që flasin për rritjen e fuqisë së krimit të organizuar dhe çmoj se është pikërisht momenti që të zhvillohet ky debat. Unë propozoj që debatit t’i caktohet data 18 dhjetor, sepse atë ditë parashikohet një seancë që ka vetëm njoftime dhe diskutime për çështje jashtë rendit të ditës. Shtoni një pikë në rendin e ditës, që të jetë pikërisht debati për masat e qeverise në raport me krimin e organizuar”, tha Bardhi. Versus.al
