Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve do të vendosë sot në orën 11:00 nëse rezultatet e zgjedhjeve për katër qarqet e mbetura, Elbasan, Tiranë, Fier dhe Durrës do të certifikohen si të vlefshme apo jo.
Vendimi merret pasi janë rinumëruar pjesërisht kutitë e Elbasanit dhe Durrësit si dhe plotësisht kutitë e Fierit e Tiranës. Rezultati i zgjedhjeve u ankimua nga PD në qarqe të ndryshme, ndërsa kërkesa e tyre për pavlefshmëri u hodh poshtë.
Në Tiranë demokratët shpresonin se do të mund t’i merrnin një mandat partisë “Mundësia” të Agron Shehajt, pretendim që mbeti vetëm në letër sepse PD rezultoi partia me më së shumti vota të pamerituara gjatë rinumërimit.
Ndërsa në Fier, shpresa ishte për koalicionin “Nisma Shqipëria Bëhet” që mund të fitonte një mandat nga PS në rast se 500 vota do t’u hiqeshin socialistëve gjatë rinumërimit. Sërish kjo pritshmëri nuk pati asnjë rezultat dhe ndarja e mandateve mbeti e njëjtë në të gjithë vendin. Versus.al







