
Gjatë seancës së sotme në Kuvend është diskutuar mbi buxhetin e planifikuar për vitin 2026. Opozita kundërshtoi planin e mazhorancës për shpërndarjen e parave të shtetit, pavarësisht se kjo e fundit këmbënguli për një buxhet në vlerën e 8 miliardë lekëve.
Deputetët e Partisë Demokratike deklaruan se buxheti i hartuar për vitin pasardhës favorizon më shumë jugun e Shqipërisë sesa veriun, duke çuar në përplasje të deputetes së opozitës, Jozefina Topalli dhe atij socialist Eduard Shalsit.
Shalsi e konsideroi këtë pretendim si një fyerje duke thënë: “E mbaj mend fort mirë kur zonja në fjalë drejtonte Kuvendin, sesi silleshin ministrat dhe drejtorët e institucioneve në Komisione, si të fortë. Kur ka qenë hera e fundit që ke qenë në Shkodër? Mos i fryni kësaj historisë së ndarjes veri-jug, sepse as u ka shërbyer dhe as do t’u shërbejë sepse shqiptarët janë të zgjuar.
Na dëgjojnë çfarë themi dhe shohin se çfarë bëjmë. Për deputetët që kanë qenë këtu, dinë të bëjnë dallimin midis asaj që bënit ju në kohën tuaj dhe asaj që bëjmë tani. Buzëqeshja ju ndihmon të menaxhoni mungesën e argumenteve edhe me lezet… bëni mirë që nuk e merrni seriozisht”.
Jozefina Topalli iu përgjigj Shalsit me ironi duke i thënë: "Deputetin që sapo foli e njoh prej vitesh dhe e kujtoj vetëm për një fjali… “të paktën të vjedhim e lezet”. Në atë kohë nuk ia kam marrë për të madhe se kam thënë që nuk paska as eksperiencë politike.
Paskam gabuar, ai nuk ka as inteligjencën minimale. Dhe një sugjerim, e mira është që ata që janë pijshëm, mos i lini të shkojnë te ajo foltorja aty."
