
Politikanët në Shqipëri kanë uruar për 18 vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Kryeministri Edi Rama e nisi ditën me disa foto të publikuara rreth vizitës së tij të djeshme në Prishtinë, ndërsa shkroi se nuk mund të jetë i pranishëm në manifestimin që do të mbahet në orën 14:00 për ish-liderët e UÇK që sipas tij mbahen ‘peng’ në Hagë.
“MIRËMËNGJES dhe me FotoALBUMIN e vizitës sime dje në Prishtinë, i uroj Kosovës gëzuar pavarësinë me keqardhjen që s’mund të jem sot në manifestimin popullor të solidaritetit me katër pengjet e UÇK-së në ferrin e (pa)drejtësisë ndërkombëtare në Hagë”- shkroi Rama.
Presidenti Bajram Begaj uroi Kosovën me një shkrim në rrjetet sociale ku u shpreh se shteti tashmë është më i konsoliduar dhe më shumë njohje ndërkombëtare.
“Gëzuar Kosovë! Në këtë 18-vjetor, Kosova është më e fortë, me institucione demokratike të konsoliduara dhe me më shumë njohje ndërkombëtare.
Përulje dhe mirënjohje për ata që sollën lirinë!
Mirënjohës ndaj miqve dhe partnerëve tanë strategjikë, SHBA-së dhe bashkësisë perëndimore, për mbështetjen e fuqishme ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës. Le të ecim bashkë drejt BE -së më të bashkuar se kurrë! BASHKË, JETË E MOT!”- shkruan Begaj.
Pavarësinë e Kosovës e uruan edhe politikanët e paraburgosur, Erion Veliaj e Ilir Meta të cilët janë marrë të pandehur për një sërë veprash penale.
Meta riktheu në vëmendje momente me presidentin e ndjerë Ibrahim Rugovën teksa theksoi se pavarësia e Kosovës është një faktor stabiliteti në rajon.
“Gëzuar Ditën e Pavarësisë, Kosovë e dashur! Mirënjohje e përjetshme për Heronjtë, Dëshmorët, luftëtarët dhe etërit e Pavarësisë, që me sakrificën dhe përkushtimin e tyre bënë realitet ëndrrën shekullore të lirisë.
Nderim i veçantë për Presidentin historik Ibrahim Rugova dhe për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, që udhëhoqën me vizion, guxim dhe vendosmëri rrugën drejt shtetësisë. Pavarësia e Kosovës dëshmoi se është një faktor i rëndësishëm stabiliteti dhe paqeje në rajon.
Sot, Kosova qëndron krenare si një shembull i demokracisë funksionale, i zgjedhjeve të lira, i institucioneve të përgjegjshme dhe i llogaridhënies para qytetarëve të saj. Lavdi përjetë atyre që sakrifikuan për lirinë!”- shkruan kreu i PL.
Ndërsa Veliaj u shpreh se Kosova meriton të festojë me kokën lart dhe uroi që procesi ndaj ish-krerëve të UÇK të përfundojë me drejtësi.
“Urime Ditën e Pavarësisë, Kosovë! 17 Shkurti nuk është thjesht një datë - është kujtesë se LIRIA nuk dhurohet, por fitohet me sakrificë, me qëndresë dhe besim. Sot, më shumë se kurrë, Kosova meriton të festojë me kokën lart: për të gjithë ata që luftuan dhe për çdo të ri që rritet me flamur e dinjitet.
E në këtë ditë, nuk mund të mos mendojmë edhe për ata që luftuan në betejë që Kosova të jetë e lirë - drejtuesit e UÇK-së. Ende shpresoj se procesi i tyre do të përfundojë me drejtësi dhe me kthimin e secilit në shtëpi, në respekt të së vërtetës, historisë dhe lirisë së Kosovës. Gëzuar Kosovë - qofsh gjithmonë e lirë!”- shprehet Veliaj në postimin e publikuar në rrjetet sociale nga stafi i tij. Versus.al

