POLITIKË /

“Portet të jepen pa garë”, deputetja e PS: Nëse nuk ndryshojmë ligjin, rrezikohet që Jared Kushner të tërhiqet nga Sazani

Partia Demokratike doli kundër këtij propozimi duke pretenduar se janë paracaktuar emrat e biznesmenëve që duan të marrin portet turistike pa garë.

Shkruar nga Versus
“Portet të jepen pa garë”, deputetja e PS: Nëse nuk
Jared Kushner dhe projekti në Sazan

Në mbledhjen që zhvilloi sot komisioni parlamentar për Turizmin, deputetja socialiste Zamira Sinaj deklaroi se kompania e Jared Kushner, dhëndrit të Donald Trump, mund të tërhiqet nga investimi në ishullin e Sazanit nëse Kuvendi nuk ndryshon ligjin për “Portet Turistike”.

Ndryshimi parashikon dhënien pa garë të porteve turistike për investitorët strategjikë të cilët duan të ndërtojnë resorte turistike.

“Sazani, rasti kryesor, janë duke u tërhequr,” tha ajo, duke iu përgjigjur pyetjes së kryetares së komisionit, Ina Zhupa, e cila kërkoi shembuj për të justifikuar nevojën e ndërhyrjes në ligj.

Ndër të tjera, Sinaj shtoi se ndryshimi ligjor do të sigurojë siguri juridike për investitorët strategjikë duke theksuar se problemet kryesore në praktikë janë vonesat dhe bllokimet e investimeve të rëndësishme turistike.

Nga ana tjetër, Ina Zhupa e kundërshtoi duke pretenduar se emrat e biznesmenëve që do marrin portet turistike janë bërë gati dhe se ligji po bëhet në funksion të tyre.

"Nuk e kuptoj pse do e kaloni me shpejtësi, por kam përshtypjen se janë gati emrat që do te marrin portet e Shqipërisë",- tha Zhupa.

Jared Kushner (dhëndri i Donald Trump) mori miratimin nga Komiteti i Investimeve Strategjike për projektin e resortit turistik në Ishullin e Sazanit. Statusi i investitorit strategjik u dha për një periudhë 10-vjeçare, duke i siguruar projektit prioritet dhe procedura të përshpejtuara, në përputhje me planin e veprimit dhe detyrat e parashikuara në vendim. Versus.al

Poll