Paradokset në politikën shqiptare kanë qenë të shpeshta, sidomos në vitet e fundit. Paradoks mund të konsiderohet edhe ngjarja e ndodhur ditën e djeshme në Kuvend ku kreu i partisë “Mundësia” Agron Shehaj mori marrëveshjen e kredisë 302 mln dollarëshe për blerje pajisjesh ushtarake nga SHBA dhe u largua me vrap nga zyra.
Duke mos u futur shumë në shkeljen e rregullave nga ana e Shehajt që padyshim i takon Kuvendit të vendosë për këtë, ajo çfarë shkaktoi habi ishte reagimi i menjëhershëm i të gjithë socialistëve të cilët publikuan edhe pamje nga brenda ambienteve të Kuvendit ku një sekretare rrëzohej teksa ndiqte Shehajn. Duke e dënuar veprimin e tij, kreu i grupit të deputetëve socialistë, Taulant Balla kërkoi që Shehaj të arrestohej në flagrancë, ndërsa edhe kryeministri Edi Rama kërkoi që SPAK ta hetonte.
Nuk mundet që në këtë situatë të mos sjellim në vëmendje një rast flagrant të ndodhur pak muaj më parë. Sekretari i Përgjithshëm i PS, Blendi Klosi së bashku me kryebashkiaken e Durrësit dhe zyrtarë të tjerë socialistë, dekoruan në Durrës ish-deputetin e dënuar me 2 vite e 6 muaj nga GJKKO, Jurgis Çyrbja për lidhje me krimin dhe blerje votash.
Pavarësisht se Çyrbja shërbeu si mburojë për elementët kriminalë në Durrës duke dekonspiruar operacionet e policisë falë informacioneve që merrte si anëtar i komisionit të Ligjeve dhe bleu vota për t'u zgjedhur deputet, ai mori certifikatë mirënjohje. Megjithatë kolegët e tij socialistë nuk u dukën kaq të “zellshëm” me thirrje ndaj drejtësisë për ish-deputetin aq sa duken për çdo lloj veprimi që kryejnë kundërshtarët e tyre politikë. Në këto kushte, lind pyetja sesa e moralshme është që të kërkohet arrestimi i një deputeti në flagrancë ndërkohë që dekorohet deputeti i dënuar për 2 vepra penale? Versus.al

