POLITIKË /

PS nuk toleron bojkotin e demokratëve, propozon vetëm një kryetar dhe vijimin e punës për 'Territorialen'

PS ka propozuar të ndryshohet pika IV e vendimit për krijimin e komisionit të posaçëm duke hequr të drejtën e bashkëdrejtimit të 'Territoriales'.

Shkruar nga Versus
PS nuk toleron bojkotin e demokratëve, propozon vetëm një kryetar
Dy bashkëkryetarët e komisionit, Luçiano Boçi dhe Arbjan Mazniku

Pavarësisht bojkotit të Partisë Demokratike në komisionin e posaçëm për Reformën Territoriale në shenjë revolte për skandalet e korrupsionit në vend, socialistët kanë zgjedhur që të vijojnë punën duke ndryshuar pikën 4 që garantonte 2 bashkëkryetarë për drejtimin e komisionit.

Në propozimin e bërë nga socialistët thuhet se nuk mundet që puna të mbetet pezull pasi reforma territoriale përbën një nga elementet kyçe për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Propozimi i PS:

Që prej krijimit të Komisionit janë parashikuar dhe njoftuar zyrtarisht mbledhje në datat 11.11.2025, 27.11.2025, 17.12.2025 dhe 22.01.2026.

Në mbledhjen e parë të datës 11.11.2025 nuk kanë marrë pjesë përfaqësuesit e Partisë Demokratike, por vetëm ata të Grupit Parlamentar Aleanca për Ndryshim dhe të Grupit Parlamentar i Partisë së Lirisë. Në këtë mbledhje Komisioni u konstituua formalisht dhe përfaqësuesit e Partisë Socialiste i bënë thirrje për pjesëmarrje dhe angazhim të Partisë Demokratike.

Në mbledhjen e dytë të datës 27.11.2025 kanë qenë prezent të gjithë anëtarët e Komisionit. Në këtë mbledhje u miratua plani i punës dhe struktura e ekspertëve. Vendimi për emërimin e Sekretarit të Komisionit u shty për mbledhjen e rradhës.

Mbledhja e parashikuar në datën 17.12.2025 nuk u zhvillua për mungesë të kuorumit, pasi asnjë përfaqësues i opozitës nuk u paraqit, pavarësisht njoftimit të rregullt. Gjithashtu edhe në mbledhjen e rradhës të datës 22.01.2026 nuk ka qenë prezent asnjë përfaqësues i opozitës, pavarësisht njoftimit të rregullt.

Për rrjedhojë, që prej krijimit të Komisionit në datën 27.10.2025 (gjatë një periudhe dy mujore) nga 4 mbledhje të njoftuara rregullisht vetëm një mbledhje është zhvilluar me përbërje të plotë të opozitës. Referuar vendimit të Kuvendit, kohëzgjatja e punës së Komisionit është parashikuar 9 muaj.

Kjo kohëzgjatje është dakordësuar duke patur parasysh rëndësinë e miratimit të reformës administrative-territoriale në kohë, pra 1 vit përpara zhvillimit të zgjedhjeve vendore 2027 në mënyrë që të merren masat përkatëse ligjore, administrative dhe organizative.

Nisur nga qasja e bojkotuese e opozitës parlamentare si dhe fakti që reforma administrative-territoriale përbën një nga prioritetet kyçe të programit të mazhorancës parlamentare Shqipëria 2030 dhe për integrimin në BE, propozohet ndryshimi i përbërjes dhe mënyrës së punës së Komisionit.

Si rrjedhojë, propozohet që pika III e Vendimit të ndryshohet me këtë përmbajtje:

Komisioni i Posaçëm përbëhet nga 17 anëtarë, nga të cilët 9 janë janë përfaqësues të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe 6 përfaqësues të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, 1 përfaqësues i Grupit Parlamentar Aleanca për Ndryshim dhe 1 përfaqësues i Grupit Parlamentar i Partisë së Lirisë.

Në këtë mënyrë, i çelet rruga avancimit të reformës në përputhje me planin e punës të miratuar, së bashku me votat e opozitës parlamentare, në mbledhjen e datës 27.11.2025.

Më tej, propozohet që pika IV e Vendimit ndryshohen me këtë përmbajtje:

Kryetari i komisionit është përfaqësues i Grupit Parlamentar të  Partisë Socialiste dhe zëvendëskryetari është përfaqësues i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike. Versus.al

Poll