
Është publikuar në rrjetet sociale amaneti i fundit i akademikut Rexhep Qosja, një letër e shkruar prej tij në vitin 2016, ku ai ka lënë udhëzime të qarta për mënyrën se si dëshironte të përcillej për në banesën e fundit.
Dokumenti është ndarë nga nipi i tij, Valjeti, i cili e ka shoqëruar me një mesazh ku shprehet se po e bën publike “si dëshmi të fjalës së tij”, duke respektuar amanetin e besuar.
Në letrën e tij personale, Qosja i drejtohet nipit me këto fjalë:
“NIPIT TIM VALJETIT
I CILI U KUJDES PËR JETËN TIME DHE PREJ TË CILIT
KËRKOJ TË KUJDESET EDHE PËR VARROSJEN TIME”
Në vijim të testamentit, akademiku shpjegon qartë dëshirat e tij për ceremoninë mortore, duke theksuar bindjet e tij jetësore dhe intelektuale:
“Meqenëse kam jetuar duke besuar në mendimin shkencor… dua të jem i varrosur pa ritual fetar.”
Po ashtu, ai kërkon që varrimi të zhvillohet pa praninë e institucioneve dhe pa ceremoni publike:
“Meqenëse kam shprehur pikëpamje kritike ndaj sundimtarëve… dua të jem i varrosur pa kurrfarë pranie zyrtare.”
Në testament, Qosja kërkon një ceremoni sa më të thjeshtë dhe vetëm familjare:
“Varrimin tim dua ta bëjnë vetëm familjarët e mi… pa fjalime, pa medie, pa lule, afër varrit të gruas sime Shpresës. Vdes i qetë.”
Në një pjesë tjetër të letrës, ai reflekton mbi jetën dhe veprimtarinë e tij intelektuale e publike, duke theksuar se i ka kushtuar jetën lirisë, bashkimit dhe mirëqenies së shqiptarëve, ndërsa pranon me ndershmëri edhe mospajtimet dhe ashpërsitë e kohës.
“Këto mendime i shkrova duke qenë i vetëdijshëm dhe mendjeqartë,” mbyllet letra e nënshkruar nga vetë akademiku në Prishtinë më 30 prill 2016.
Publikimi i këtij amaneti ka ngjallur reagime dhe emocione, duke sjellë në vëmendje figurën e tij si një nga intelektualët më të rëndësishëm të mendimit shqiptar.



