
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka shpërndarë në rrjetet sociale një mesazh të Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, lidhur me vendimin e fundit për kufizime vizash ndaj personave të lidhur me krimin e organizuar ndërkombëtar.
Në mesazhin e publikuar theksohet se Departamenti i Shtetit po forcon masat ndaj vizave për individët që “punojnë në emër të kundërshtarëve të Shteteve të Bashkuara”, duke synuar rrjetet kriminale që operojnë jashtë SHBA-së.
Sipas deklaratës së Marco Rubio, janë vendosur kufizime vizash ndaj 75 personave, të cilët rezultojnë të jenë anëtarë familjesh ose bashkëpunëtorë të ngushtë të individëve të lidhur me kartelin meksikan të drogës Karteli Sinaloa, i sanksionuar më herët nga autoritetet amerikane.
Rubio ka deklaruar se administrata amerikane do të vazhdojë të ndërmarrë hapa për të rritur sigurinë brenda SHBA-së dhe në rajon, duke goditur rrjetet e narkotrafikut dhe financimet e tyre.
“Departamenti i Shtetit do të vazhdojë të mbrojë amerikanët nga narkoterroristët e rrezikshëm dhe drogat vdekjeprurëse”, thuhet në mesazhin e tij, të shpërndarë edhe nga ambasada amerikane në Tiranë.
Ky vendim vjen si pjesë e një fushate më të gjerë të SHBA-së për të kufizuar lëvizjen ndërkombëtare të personave të lidhur me rrjete kriminale dhe për të goditur burimet e tyre të ndikimit dhe financimit.

