POLITIKË /

Rama detyroi drejtorët e bashkisë Vlorë të dorëhiqen, Shoqata e të Zgjedhurve Vendorë: Thellësisht të shqetësuar!

Shkruar nga Versus
Rama detyroi drejtorët e bashkisë Vlorë të dorëhiqen,
Kryeministri Edi Rama

Shoqata e të Zgjedhurve Vendorë e ka cilësuar “shqetësuese” ndërhyrjen e kryeministrit Edi Rama në pushtetin vendor, duke iu referuar takimit që ky i fundit zhvilloi dje në bashkinë e Vlorës ku u vendosi ultimatum drejtorëve që të dorëhiqen.

Duke qenë se Kushtetuta garanton autonominë e pushtetit vendor, në reagim thuhet se është e papranueshme që kryeministri të ndërhyjë në punët e brendshme të bashkive duke bërë emërime apo shkarkime sipas dëshirës. Më tej thuhet se ndërhyrje të tilla rrezikojnë pavarësinë e pushtetit vendor.

Reagimi i plotë:

Shoqata e të Zgjedhurve Vendorë shpreh shqetësimin e saj të thellë lidhur me ndërhyrjet e përsëritura të Kryeministrit të vendit në çështjet administrative të bashkive. Ndërhyrjet e fundit në Bashkinë e Tiranës dhe së fundmi në Bashkinë e Vlorës përbëjnë një praktikë të papranueshme, e cila bie ndesh me parimet themelore të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe të ligjit nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”.

Kushtetuta e Shqipërisë garanton autonominë vendore si një nga shtyllat e funksionimit të pushtetit lokal, ndërsa ligji për vetëqeverisjen vendore përcakton qartë kompetencat, organet dhe mekanizmat e llogaridhënies brenda njësive të qeverisjes vendore. Çdo ndërhyrje nga pushteti ekzekutiv qendror në punët e brendshme administrative të bashkive cenon këtë autonomi dhe përbën shkelje të parimit të ndarjes së pushteteve.

Shoqata jonë e konsideron të papranueshme që përfaqësuesit politikë të nivelit qendror të ndërhyjnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në emërime, shkarkime apo vendimmarrje të natyrës administrative në bashki, të cilat janë institucione të pavarura dhe të zgjedhura me votën e drejtpërdrejtë të qytetarëve.

Ftojmë institucionet përkatëse të mbikëqyrjes dhe monitorimit të qeverisjes vendore të reagojnë dhe të mbrojnë integritetin institucional dhe ligjor të pushtetit vendor. Në të njëjtën kohë, u bëjmë thirrje të gjithë aktorëve politikë që të respektojnë kufijtë kushtetues të përgjegjësive të tyre dhe të mos e vendosin në rrezik funksionimin demokratik të qeverisjes vendore. Shoqata e të Zgjedhurve Vendorë mbetet e angazhuar në mbrojtjen e parimeve të autonomisë vendore dhe të qeverisjes me përgjegjshmëri dhe integritet. Versus.al

Poll