Drejtorët e bashkisë së Vlorës kanë dorëzuar dorëheqjet pas “dushit të ftohtë” që patën ditën e djeshme nga kryeministri Edi Rama i cili zbarkoi në institucionin vendor me bllok në dorë dhe i shoqëruar nga ministri për Pushtetin Vendor Arbjan Mazniku.
Zëvendësit e tyre janë në një provë 3 mujore për të testuar aftësitë që kanë në zgjidhjen e problemeve që Rama i konsideroi themelore për qytetarët e Vlorës. Ndërsa për të bërë një vlerësim të punës, janë ngritur dy grupe vlerësimi nga socialistët. Konkretisht Bledi Çuçi, Pirro Vengu dhe Vullnet Sinaj do të vlerësojnë punën e bërë ndryshe.
Ndërsa Rama ka kërkuar që deri më 15 korrik të ketë përfunduar analiza e punëve që duhen bërë për qytetarët. Ditën e djeshme ai emëroi edhe drejtues të rinj politik të PS në këtë qark, konkretisht Klevis Kaso dhe Eriona Ismajli.
Kujtojmë se kohëve të fundit, qyteti është përballur me mungesë të ujit të pijshëm dhe ajrin e ndotur nga djegia e vazhdueshme e mbetjeve në kulmin e sezonit turistik. Kryebashkiaku Ermal Dredha tha se zjarrvënësi do të mbajë përgjegjësi, por deri tani nuk ka asnjë të proceduar lidhur me këtë ngjarje. Versus.al







