Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e grupit parlamentar të PS, kryeministri Edi Rama sulmoi edhe krerët e partive të reja opozitare, mes të cilëve edhe kreun e Lëvizjes Bashkë Arlind Qorin duke e cilësuar si “komunist”.
Pedagogu nuk ka vonuar t’i përgjigjet duke e akuzuar Ramën si politikan të korruptuar që e sheh gabimin tek lufta ndaj korrupsionit dhe jo tek korrupsioni. Ai tha se me këto deklarata, kryeministri po përpiqet të justifikojë dështimin e qeverisë. Ndërsa shtoi se Rama është i frikësuar pas skandaleve të shumta, Qori u bëri thirrje qytetarëve që të ngrihen për të reaguar kundër qeverisë aktuale.
“Edi Rama ka luajtur mendsh! Sot ka dalë me teorinë se në Shqipëri në një nga vendet më të korruptuara të Evropës e më gjerë, antikorrupsioni po bën më shumë dëm sesa korrupsioni. Kjo është vërtet e tmerrshme kur mendon sesa i dëmton shqiptarët korrupsioni në jetën e tyre të përditshme, fakti që po i dëbon gjithnjë e më shumë korrupsioni.
Edi Rama për të mbrojtur Belinda Ballukun, veten e tij dhe oligarkët është i gatshëm të shpikë çdo lloj teorie konspirative dhe budallallëku. Ka folur sot për një të ashtuquajtur komplot “ballisto-komunist” kundër atij vetë. Po justifikon vonesën e integrimit në BE jo më me korrupsionit, por mënyrën e gabuar si luftohet ai siç pretendon Rama. Mirëpo e vërteta është e thjeshtë, Edi Rama ka frikë për lëkurën e vetë, ka frikë se për shkak të korrupsionit të tmerrshëm pjesë e të cilit është edhe ai vetë, do të humbë edhe pushtetin dhe lirinë. Mirëpo ne si qytetarë të vendit që të mos humbim mundësinë për të jetuar në vendin tonë, që të mos humbim ardhmërinë dhe dinjitetin tonë duhet të ngrihemi në këmbë dhe t’ja fusim të dyja këmbët në një këpucë këtij politikani kaq të korruptuar”- u shpreh Qori. Versus.al

