
Kryeministri Edi Rama ka vijuar me reagimet ndaj moderatorit Blendi Fevziu lidhur me një deklaratë të këtij të fundit ku pretendonte se ministrat publikonin video të regjistruara ndërkohë që ndodheshin në udhëtime private jashtë vendit.
Rama shkruan sërish se Fevziu ka gënjyer dhe se këtë gjë nuk e ka mohuar as ai vetë. nëpërmjet këtij shkrimi të cilin e ka shoqëruar me një foto të Fevziut të krijuar me Inteligjencë Artificiale, Rama thotë se duhet që moderatori t’u krijojë falje qytetarëve.
Reagimi i plotë:
Mesa kuptoj dëbora e kudondodhur dhe kalendari i ngjeshur i influencerit, e penguan Blendi Fevziun të merrej seriozisht me faktin që i gënjeu hapur shikuesit e tij besnikë, kur
nga ekrani i Opinionit u tha, “kam fakte që të paktën 7 ministra janë në udhëtime private jashtë shtetit të shtunave e të dielave, dhe lënë kasetat me inspektime nëpër tv sikur janë në punë… Ju’a garantoj!”
Që kjo ishte një gënjeshtër e llojit shpifje, këtë nuk e mohoi dot as vetë Fevziu, duke reaguar ndaj postimit tim pa sjellë asnjë fakt mbi këtë sajesë të hedhur nga dritarja e Opinionit në shtëpitë e shqiptarëve, bash kur një sërë ministrash ishin ditë e natë rrugëve gjatë vorbullës atmosferike të javëve të fundit.
Unë e dija që Fevziu gënjeu, siç e di kur gënjejnë - shumë më shumë dhe shumë më shpesh se sa ai - llazoret demokratikase të sallonit të tij ose daha më keq, konkurentet e tyre tek salloni i qimeve të opozitës apo le pastaj barisalifallinjtë e udhëheqjes demokratikase.
Por duke qenë se tek salloni i Fevzos shkoj edhe vetë, kur vjen ora e ndonjë debati me përfaqësuesin më të gëlltitshëm të çetës opozitare, e kam detyrim t’i bëj apel Fevziut që t’i kërkojë falje shikuesve të përbashkët dhe të mos fshihet pas analizave të motit, me hilenë që çudia tre ditë zgjat!
Shumica dërrmuese e atyre shikuesve nuk janë votuesit e mi, madje janë tifozë kundërshtarë, por ama ata janë edhe shikuesit e mi, të cilët Fevziu i keqtrajtoi brutalisht me atë shpifje plateale, ndërkohë që në ekranin e Opinionit ata janë në besën e tij. Dhe nëse Fevziu nuk i mbron dot nga shpifësit që fton aty në çdo debat politik, minimalisht nuk duhet t’i abuzojë edhe vetë apo jo?
Do thoni ju po se mos është e para herë dhe të drejtë keni, por ama ka një moment kur duhet ndaluar e kërkuar një falje, qoftë edhe njëherë të vetme, se ky avazi i bubullimave të shpifjeve e i gërrgërrimave të akuzave nga mëngjesi në mesnatë u bë pocaqi fare, e mbase Fevziu si një lider mediatik në mexhelisin e 700 tenxhereve e gjen tek vetja këtë forcë duke dhënë një shembull pozitiv. Versus.al



