
Kryeministri Edi Rama, ka reaguar sërish sa i takon procesit gjyqësor që po mbahet në Gjykatën Speciale të Hagës ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Rama e cilësoi si “të tmerrshëm” faktin që ata që ishin shpëtimtarët e vendit, duhet të paraqiten para gjykatës që ka dalë totalisht nga shinat.
“A nuk është e tmerrshme ta mendosh se shpëtimtarët e një kohe kur vetë ekzistenca e Kosovës ishte në tehun e thikës së gjatë të padrejtësisë historike ndaj shqiptarëve, duhet të paraqiten para një gjykate të dalë krejt nga shinat mbi të cilat u ngrit, për të dëshmuar se lufta për liri nuk është krim, se rebelimi ndaj një diktature nacional-socialiste nuk është faj, se shteti i ri e sovran i Kosovës nuk ka dalë nga barku i një ndërmarrjeje kriminale, po nga gjaku i një ushtrie çlirimtare?!”- shprehet Rama.
Por më tej e pati sërish një thumbim për Kurtin dhe Vetëvendosjen të cilët pavarësisht se nuk i përmendi i cilëson si “të verbuar pas budallakisë patriotike” duke thënë se e trajtojnë Thaçin si armik politik duke uruar të mos dalë kurrë prej aty.
“Çfarë turpi për drejtësinë ndërkombëtare dhe edhe më zi për shqipsharësit digjitalë, tifozë të verbuar prej budallakisë kinse patriotike, që edhe mbrapa hekurave të kësaj padrejtësie ulëritëse, e shohin dhe trajtojnë Hashim Thaçin si armik politik, duke uruar të mos dalë më kurrë prej aty; ndërkohë që kur atyre t’u jetë harruar nami e nishani dhe asaj gjykate t’i ketë mbetur vetëm njolla e turpit të historisë, emri i Hashimit do të mbetet përgjithnjë si emri i njeriut që u bë njësh me fatin, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”- shton Rama. Versus.al

