
Kreu i qeverisë, Edi Rama do të marrë pjesë në Samitin e Koalicionit të Vullnetarëve për Ukrainën me ftesë të presidentit francez, Emanuel Macron. Samiti do të mbahet në Paris të Francës dhe do të mbledhë krerë shtetesh dhe qeverish, së bashku me Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, dhe Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, për të diskutuar koordinimin e mbështetjes ndërkombëtare për Ukrainën.
“Pjesëmarrja e Kryeministrit Rama në këtë samit riafirmon angazhimin e Shqipërisë në mbështetje të Ukrainës, në përputhje me qëndrimin e palëkundur të vendit tonë në mbrojtje të së drejtës ndërkombëtare, sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës, si dhe në koordinim të ngushtë me aleatët dhe partnerët euroatlantikë”- njofton zyra e kryeministrisë.
Më 14 korrik 2026, po me ftesë të Presidentit Emmanuel Macron, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama do të marrë pjesë në ceremoninë zyrtare me rastin e Festës Kombëtare të Francës. Versus.al

