Partia Demokratike duket se është përballë një tjetër “revolte” të brendshme. Sot ish-deputeti Ervin Salianji pritet të mbajë një takim me demokratët në Durrës, gjë që e ka njoftuar më herët.
Por Sali Berisha gjatë konferencës për mediat tha se ky është një takim privat i Salianjit pa asnjë lidhje me Partinë Demokratike, duke thënë kështu sinjalet e një përplasje mes tyre.
“Asnjë aktivitet jashtë forumeve të PD nuk mund të ketë ndikimin më të vogël në PD. Çdo aktivitet jashtë forumeve të PD është strikt privat pa asnjë lidhje me PD-në. Partia Demokratike është parti e statutit dhe institucioneve me forume. Ka filluar debati dhe do jetë i hapur për cilindo anëtar. Çdo person tjetër që për qëllime private, personale, organizon takime i ka ato totalisht në interes të vetë dhe pa asnjë lidhje me partinë”- deklaroi Berisha.
Më herët Salianji ka organizuar një takim së bashku me Ilir Alimehmetin në të cilin morën pjesë kandidatët më të votuar në primaret e PD, të cilët pavarësisht votave që siguruan më 11 maj, mbetën jashtë Kuvendit. Ky takim ka ngjallur një lloj "tensioni" brenda PD për mundësinë e krijimit të një lëvizje të re me qëllim ndryshimin e lidershipit të demokratëve. Versus.al


