
Ervin Salianji ka organizuar takim me demokratët e Lezhës ku numri i pjesëmarrësve ishte i lartë në krahasim me “Foltoren” e Berishës disa ditë më parë në këtë qytet, por edhe takimin e Kombinatit. Salianji akuzoi Berishën se nuk mund ta përjashtojë nga Partia Demokratike vetëm për faktin se mendon ndryshe.
“Në Shqipëri demokratët nuk kanë më frikë, nuk kanë çfarë të humbin. Interesi im është që PD të vijë në pushtet, ndërsa këta kanë hall të sulmojnë demokratët që kërkojnë PD të vijë në pushtet.
Por pse sulmojnë këtë më shumë demokratët sesa Ramën? A dini gjë ju? Ne po na gjykojnë ata që humbin çdo palë zgjedhje. Ne jemi ndryshe, ne jemi fitues. Ne kemi guximin për të fituar. Askush nuk na largon dot nga PD. Ne kemi pyetjen e thjeshtë, ‘çfarë ju mungon 5-çja fantastike e lidershipit që ta bëjmë PD fituese?’
Çfarë pengu keni që nuk e lini PD-në që të shpërthejë me energjinë e demokratëve, për të rrëzuar qeverinë e Edi Ramës? Sepse lidershipi është në pushtetin e opozitës. Por në vend që të përdoret pushteti për të shkatërruar PD-në dhe demokratët, duhet përdorur pushteti për të larguar qeverinë e Ramës”, tha Salianji.
Salianji këmbënguli se PD, ka nevojë për ripertëritje dhe energji të reja, ta cilat mund ta forcojnë në zgjedhjet e ardhshme.
“Të nderuar miq, kjo puna e përjashtimeve ka vetëm një element. Nuk përjashtohet njeri për mendim ndryshe. PD është demokratizuar edhe me statut. Dhe statuti nuk të largon për mendim ndryshe, por vetëm nëse humbet zgjedhjet. PD ka nevojë për ripërtëritje”, u shpreh Salianji./Versus.al

