POLITIKË /

Salianji sqaron akuzat për lëvizje të re brenda PD-së: Do të jem kudo për demokratët!

Shkruar nga Versus

Salianji sqaron akuzat për lëvizje të re brenda PD-së: Do

Pas përfundimit të protestës së opozitës para Kryeministrisë, Ervin Salianji ka shkuar menjëherë në studion e Euronews Albania, ku ka sqaruar pjesëmarrjen e tij dhe të Ilir Alimehmetit në tubim.

Ai u shpreh se praninë e tyre nuk e sheh si lajm, pasi “ne jemi në Partinë Demokratike”. Salianji theksoi se nuk është hera e parë që merr pjesë në protestat e opozitës.

Sipas tij, ai ka qenë i pranishëm në çdo organizim të PD-së, ashtu si edhe Alimehmeti, pasi “ne jemi pjesë e Partisë Demokratike”.

Ai u shpreh se gjatë protestës është takuar me disa deputetë të opozitës, por jo me Sali Berishën.

“Ne jemi në PD, i jemi nënshtruar vendimmarrjeve kolegjiale të partisë. Kjo është një protestë që zyrtarisht quhet Foltore, pavarësisht që unë mendoj se duhet të ketë revoltë dhe jo muzikë. Unë jam aty, ku janë demokratët, pavarësisht formës që ka reagimi i shoqërisë apo i opozitës. Nuk është hera e parë që jam pjesë e protestave, kam qenë në çdo protestë, pavarësisht që askush nga njerëzit më të votuar në PD dhe me kontribut të jashtëzakonshëm nuk ka pasur mundësi të marrë fjalën.

Takimet që po zhvillojmë janë me demokratë. Unë jam në politikë për të përfaqësuar demokratët, dhe nëse edhe një demokrat ndihet i përjashtuar apo i neglizhuar, unë do të jem aty për ta takuar, pavarësisht çfarë mendon linja zyrtare e PD-së. Kam provuar që, marr dhe kosto personale për të mbështetur individët që kanë kontribuar në rrugëtimin tim politik. Ju e patë sa shumë persona ishin në Durrës, ishin gjithë struktura e PD-së së atij qyteti, njerëz që kanë sakrifikuar dhe kanë mbajtur gjallë PD. Do jem aty kudo ku ka njerëz të tillë. Unë mendoj se PD duhet të dëgjojë më shumë sesa të flasë dhe të reflektojë për vendimmarrjet e gabuara,” deklaroi Salianji.

Poll