
Ervin Salianji, para se të futej në sallën ku do të mbahej takimi me demokratët e Durrësit, deklaroi se qëllimi i organizimit është ringritja dhe zgjimi i Partisë Demokratike.
“Është salla plot. Ka edhe njerëz jashtë. Është me shumë rëndësi që cilido prej politikanëve, sidomos ata të PD-së, të kthehen te njerëzit. Te kafenetë, te takimet, që të bëjmë të mundur zgjimin e PD-së dhe ngritjen e saj. Do të jem në çdo takim të demokratëve, për t’i dëgjuar njerëzit dhe për të ndarë mendimet se si PD mund të bëhet alternativë që mund ta mundë Edi Ramën”, tregoi Salianji.
Salianji u shpreh se në takim merrnin pjesë të gjitha strukturat e PD-së, dhe se ishin njerëzit më të votuar të listës së Durrësit.
“Në këtë takim janë të gjitha strukturat e PD-së. Janë lista më e votuar e PD-së në Durrës. Janë njerëz që nuk kanë pasur përfaqësim për të qenë pjesë e strukturave. Ne kemi menduar, ashtu si edhe organizatorët, që të jetë një format ku të flitet hapur dhe qartë, për të çuar mendimet atje ku duhet.
Qëllimi i çdo takimi është ringritja dhe zgjimi i PD-së. Ky është i vetmi qëllim imi”, tha Salianji për mediat.
Ish-deputeti i PD-së është pritur me përqafime nga pjesëmarrësit, në krah të tij është parë edhe demokrati Ilir Alimehmeti./Versus.al


