
Përfaqësuesja e presidencës ka parashtruar kërkesat e saj para nisjes së seancës në Gjykatën Kushtetuese për ankimin e Erion Veliajt kundër shkarkimit të tij si kryebashkiak me vendim të qeverisë.
Presidenca pretendon se Kushtetuesja ka penguar zgjedhjet duke marrë në shqyrtim një dekret që nuk e kishte në kompetencë.
“Duhet të deklaroni në fillim të seancës moskompetencë sepse nuk mund të shqyrtoni këtë dekret. Zgjedhjet në Tiranë u penguan dhe tashmë duhet të rikthehet kushtetutshmëria dhe të shpallet moskompetenca për shqyrtmin e dekretit. Duke qenë se nuk u shpall moskompetenca, ne paraqesim kërkesën edhe njëherë formalisht që të anuloni vendimin për përfshirjen e dekretit në këtë shqyrtim.
Vendimi për kalimin në shqyrtim është mbështetur vetëm në dokumentacionin e dorëzuar nga kërkuesi ku mungonte plotësisht praktika dokumentare e institucionit të presidentit, mungesa e praktikës dokumentare të qeverisë për VKM e bën të njëanshme praktikën tuaj”- u shpreh mes të tjerash përfaqësuesja e presidentit Bajram Begaj. Versus.al
 
	                        
	                        
	                        
	                        
	                        
	                        
	                        
	                        
	                       

 
	                        
	                        
	                        
	                       