POLITIKË /

Seriali pa fund ‘Kuvendi i Shqipërisë’, si një bashkëprodhim i papaguar mes puthjeve në distancë, dramës, aksionit dhe komedisë

Shkruar nga Versus
Seriali pa fund ‘Kuvendi i Shqipërisë’, si një
Endri Shabani në Kuvend

Seanca e sotme plenare në Kuvendin e Shqipërisë konfirmoi se skenari politik në vend nuk ka më nevojë për autorë humori: mjafton një rend dite me opozitë 'nervoze' dhe një betim zyrtar për ta kthyer sallën në estradë kombëtare.​

Teksa deputetët e opozitës bllokonin foltoren, përplaseshin me Gardën dhe zinin me ngulm karriget e ministrave si trofe simbolikë, në anën tjetër të sallës Endrit Shabani kryente i qetë ceremoninë e betimit si Avokat i Popullit, sikur të ishte në një sallë tjetër, në një realitet paralel.

Me një lëvizje të studiuar, ai falënderoi mazhorancën për votat dhe i dhuroi opozitës një puthje me dorë, moment që do të hyjë pa dyshim në historinë e gjesteve më romantike të konfliktit politik shqiptar.​

Shabani, i zgjedhur më 11 dhjetor me 85 vota të Partisë Socialiste dhe aleatëve të saj, u betua zyrtarisht sot mes fërshëllimave, thirrjeve dhe tymit politik që prodhon Kuvendi sa herë opozita deklaron “bllokim punimesh”.

Partia Demokratike, që fillimisht firmosi kandidaturën e tij, tani ankohet se është “mashtruar” nga Edi Rama dhe paralajmëron Gjykatën Kushtetuese, duke e kthyer historinë në një telenovelë ku personazhet nënshkruajnë në episodin e parë dhe pendohet në të dytin.​

Gardistët, ndërkohë, luajtën sërish rolin e koreografëve të padukshëm të skenës, duke u munduar të riorganizojnë trupën e opozitës që ngulte këmbë të bllokonte foltoren dhe hyrjet.

Në mungesë të një regjisori zyrtar, seanca u shfaq si një bashkëprodhim i papaguar midis dramës, aksionit dhe komedisë, me audiencën që nga ekrani mundohej të kuptonte nëse po ndiqte një seancë parlamentare apo një show “live” nga rubrika “qesh për të mos qarë”.​

Në fund, Shqipëria mori Avokatin e ri të Popullit, Partia Socialiste mori një fitore procedurale, Partia Demokratike një tjetër kauzë për t’u ankuar dhe publiku një episod bonus të serialit të pafund “Kuvendi i Shqipërisë”.

Mes puthjeve në ajër, akuzave për mashtrim dhe përplasjeve me Gardën, mbetet vetëm një pyetje: kush tha që vendi nuk prodhon dot humor origjinal?/Versus.al

Poll