
Zeqir Kordhoni ka reaguar për herë të parë pas debatit që ka shkaktuar në skenën politike.
Në një deklaratë për emisionin “Off the Record”, Kordhoni ka sqaruar arsyet pse kërkoi mandatin si deputet në Kuvendin e Shqipërisë, duke i hequr kështu mandatin kreut të lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj.
Ai shpjegon se para zgjedhjeve, Lapaj kishte premtuar se në rast se koalicioni me “Nisma Shqipëria Bëhet” do të siguronte vetëm një mandat, atë nuk do ta mbante vetë. Por pas përfundimit të zgjedhjeve, Lapaj ndryshoi qëndrim dhe e pranoi mandatin, duke qenë kandidati më i votuar në listën e hapur.
"Adriatiku na gënjeu! Unë jam njeri i thjeshtë me 1000 halle, por u angazhova në këtë fushatë se besova që po ndryshojmë Shqipërinë. Kur Adriatiku na dha llafin që po morëm vetëm një mandat, do jap dorëheqjen, e besova. Kam dalë në diell e shi, mblodha firma, shpërndava fletëpalosje, organizova takime, kam ndejt pa gjumë në numërim për të ruajtur votat, vetëm që të fitonim. Siç kisha dhënë llafin, në 11 Maj firmosa dorëheqjen. Por, kur pashë që Adriatiku u fsheh dhe nuk po e mbante fjalën, u ndjeva i përdorur. Unë s’jam kalama që të tallet njeri me mua. Unë nuk ha bar. Kur shkova në KQZ, Adriatiku në vend që të reflektonte, u soll si gangster. Unë nuk dua të bëhem deputet, por nuk mund të më shkelë njeri me këmbë. Adriatiku dhe të gjithë ta kuptojnë se nuk mund të tallen me njerëzit kështu. O thuaje fjalën dhe mbaje… ose (e dini vetë),"- tha Kordhoni.
Në qarkun e Tiranës, fituese zyrtare e mandatit për Nismën “Shqipëria Bëhet” është Ana Dajko, ndërsa kandidati më i votuar nga lista e hapur mbetet Adriatik Lapaj.
Sipas marrëveshjes së brendshme të lëvizjes, Dajko dhe të gjithë kandidatët e tjerë duhet të heqin dorë nga mandati në mënyrë që Lapaj të përfaqësojë koalicionin në Kuvend.
Megjithatë, Zeqir Kordhoni, i cili renditet i nënti në listën e Tiranës, duket se nuk ka ndërmend të respektojë këtë marrëveshje, duke krijuar një situatë e cila ka krijuar tashmë një sherr mes koalicionit ' Nisma Shqipëria Bëhet'.
Vendimi përfundimtar i takon Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ndërsa ndarja përfundimtare e mandateve për qarkun e Tiranës ende nuk është bërë./Versus.al







