Një ndër projektet në të cilat Shqipëria po punon sa i takon digjitalizimit, është edhe ai kundër informalitetit. Kreu i qeverisë, Edi Rama deklaroi sot në konferencën e mbajtur për të ardhmen e teknologjisë, se në të ardhmen gjurmimi i informalitetit do të bëhet me anë të një sistemi online dhe jo me inspektorë.
“Por ashtu gjurmimi i transaksioneve do të bëjë të mundur një përshkallëzim të luftës kundër informalitetit dhe do të bëjë të mundur që në bazë risku, bizneset e mëdha e të vogla të mund të monitorohen pa u shqetësuar si sot nga inspektimet fizike nga persona që shkojnë në dyer për të bërë kontrolle, të cilët megjithë trajnimet janë larg së qeni prani e mirëseardhur në derën e një biznesi”- tha Rama.
Mes të tjerash, kryeministri bëri publike idenë për firmosjen e një marrëveshje me Emiratet e Bashkuara sa i takon transformimin e shtypshkronjës së letrave me vlerë që nga prodhimi i parave e deri tek mundësimi që të identifikohemi me anë të telefonit dhe jo me Karta ID.
“Për ta mbyllur me një tjetër produkt që do të na lehtësojë shumë në aspektin e gjurmimit të të gjithë mallrave që hyjnë në territorin e republikës , mallrat e akcizës. Jemi duke përgatitur një marrëveshje me Emiratet e Bashkuara për të transformuar plotësisht shtypshkronjën e letrave me vlerë. Në të ardhmen duam të prodhojmë në vend të gjitha llojet e letrave me vlerë përfshirë edhe të gjithë çfarë ka në botën digjitale sa i përket identifikimit përmes telefonit dhe jo më përmes një karte identiteti nëpër xhepa”- u shpreh kreu i qeverisë duke theksuar se kjo vendimmarrje do të rrisë standartin e respektit ndaj ligjit tek qytetarët. Versus.al








