
Shqipëria ka bërë historinë duke emëruar për herë të parë një ministre me Inteligjencë Artificiale në mandatin e ri qeverisës, “Rama 4”.
Diella, Ministre e Shtetit për Inteligjencën Artificiale, ka tërhequr vëmendjen jo vetëm brenda vendit, por edhe ndërkombëtarisht, duke u bërë temë diskutimi në mediat kryesore botërore.
Kryeministri Edi Rama foli për këtë vendim në një intervistë për Times Radio, ku u pyet me humor nga gazetari nëse ishte ai apo një version i tij artificial që po fliste:
“Ju nuk mund ta dini nëse jam unë apo versioni im artificial (qesh)… por për sa kohë po flisni me kryeministrin e Shqipërisë nga kanali zyrtar, përgjegjësia është e imja.”
Rama theksoi se vendimi për një ministre AI synon të përshpejtojë reformat, jo vetëm në fushën digjitale, por edhe në modernizimin e vendit:
“Në kohën e progresit linear, do të kishim pasur kohë edhe më të vështira për të rifituar kohën e humbur përgjatë dekadave dhe shekujve.”
Duke folur për funksionimin dhe sigurinë e Diellës, Rama shtoi:
“Diella është dielli që nuk perëndon kurrë; nuk fle, nuk ka nevoja për pagesa apo interesa private, nuk ka kushërinj që mund të ndikojnë vendimet dhe nuk ndryshon mendje. Përtej shakasë, ajo ka një forcë drejtuese të jashtëzakonshme dhe një ministër jo-AI do ta kishte të vështirë të çonte përpara një reformë me të njëjtën shpejtësi dhe efikasitet.”
Kryeministri pohoi gjithashtu se inteligjenca artificiale po ndihmon Shqipërinë në procesin e integrimit në Bashkimin Europian, duke sjellë si shembull përkthimin e kapitujve të grupit në kohë rekord.







