
Kryeministri Edi Rama mbajti fjalën e tij gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PS ku e konsideroi “skandaloz” vendimin e gjykatës për të pezulluar një ministër në detyrë. Sipas tij, një masë e tillë nuk duhet lejuar më sepse bllokon të gjithë punën e institucionit.
Ai tha se nuk ka asnjë rast në Evropë ku gjykata të pezullojë një ministër nga detyra, ndërsa vijoi të komentonte duke e quajtur këtë një “debat absurd”.
“Ajo që e bën skandaloz pezullimin nga një prokuror dhe gjykatës në një seancë paraprake pa filluar akoma as gjyqi për një anëtar të kabinetit qeveritar, është fakti se pezullimi nuk cënon personin i cili prezumohet se është në process hetimi, por funksionin. Të gjitha ato funksione që solli në vëmendjen tuaj Manja, janë funksione të cilat nuk ushtrohen dot pa personin. Në momentin kur pezullohet një ministër, nuk pezullohet thjesht vajtja në punë, por pezullohet puna e një institucioni.
Mjafton të sjell këtu një nga momentet që pasojmë që ajo ministri nuk ka më kapacitet të propozojë asgjë në qeveri sepse nuk përfaqësohet nga personi i ngarkuar si përfaqësues i vullnetit kushtetues. Kaq duhet të mjaftonte për të mos e vazhduar këtë debat absurd dhe për të mos u hedhur 100 veta pas një budallai që hedh një gur në lumë. Nuk mjaftoi fakti që nuk ka asnjë rast në Evropë ku të jetë pezulluar një anëtar i qeverisë nga një gjyqtar dhe prokuror”- deklaroi kreu i qeverisë. Versus.al


