Pas disa protestave ku pati ankesa për sjelljen ndaj protestuesve, Avokati i Popullit do të dërgojë vëzhgues në terren gjatë protestës së sotme që do të mbajë partia “Shqipëria Bëhet” në orën 18:00 para kryeministrisë.
Vëzhguesit do të jenë pranë komisariateve në rast të shoqërimit të protestuesve apo edhe në spitale në rast të dëmtimit të ndonjë prej protestuesve.
“Në kuadër të ushtrimit të mandatit te tij kushtetues për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, një ekip vëzhguesish të Avokatit të Popullit është angazhuar në terren, ndërsa strukturat përkatëse janë vënë në gatishmëri për të qenë të pranishme, sipas nevojës, në ambientet e komisariateve të policisë dhe institucioneve shëndetësore.
Ky angazhim synon ndjekjen nga afër të çdo veprimi pasues dhe garantimin e respektimit të standardeve ligjore dhe të të drejtave të qytetarëve. Avokati i Popullit do të vijojë monitorimin e situatës dhe do të ushtrojë kompetencat e tij ligjore në përputhje me zhvillimet në terren”, thuhet më tej në njoftim.
Kujtojmë që Avokati i Popullit, Endri Shabani ka patur përplasje me Adriatik Lapajn, me të cilin kishte koalicion në zgjedhjet e 11 majit, por raporti i tyre u shemb për debatin e futjes në Kuvend për mandatin e siguruar. Versus.al

