Deputeti i sapozgjedhur dhe drejtuesi politik i Partisë Demokratike për Tiranën, Belind Këlliçi, ka bërë publike strategjinë që PD dhe lideri historik i saj, Sali Berisha, do të ndjekin në përpjekje për të “zhbërë” rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, të cilat opozita i cilëson si të manipuluara në mënyrë masive nga qeveria.
I ftuar në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli, Këlliçi tha se PD do të ndjekë një kurs të ngjashëm me atë të ndjekur pas zgjedhjeve të vitit 2001, duke bërë presion politik dhe ndërkombëtar për të faktuar, sipas tij, “vjedhjen e zgjedhjeve”.
“Në vitin 2001, pas një turi të ngjashëm opozitar, Parlamenti Europian dhe Këshilli i Europës arritën në përfundimin se ato zgjedhje nuk reflektonin vullnetin e qytetarëve shqiptarë. Të njëjtën rrugë do të ndjekim edhe tani, por kësaj radhe kemi një bazë më të fortë: katër rezoluta ndërkombëtare që i kanë delegjitimuar zgjedhjet përpara se ato të mbaheshin”, deklaroi Këlliçi.
Ai iu referua rezolutave të miratuara në fund të vitit 2024 nga Partia Popullore Europiane (PPE) dhe nga IDC/CDI, organizata më e madhe e partive të djathta dhe qendrore në botë, të cilat sipas tij “e damkosin qartë regjimin aktual dhe procesin zgjedhor”.
Këlliçi u shpreh i bindur se deri në muajin shtator, kur do të konstituohet Kuvendi i ri, do të ketë zhvillime të rëndësishme politike, të nxitura nga denoncimet e PD për farsën zgjedhore.“Do të kemi një cikël të gjatë denoncimesh për farsën elektorale të 11 majit. Dhe deri në shtator do të kemi vendimmarrje nga forumet më të larta të PD për qasjen tonë ndaj Kuvendit dhe 50 mandatet që i kemi marrë me gjak,” u shpreh ai.
PD ka paralajmëruar një fushatë të gjerë kombëtare dhe ndërkombëtare për të kundërshtuar legjitimitetin e procesit zgjedhor, të cilin e cilëson të manipuluar nga ajo që e quan “shteti elektoral i Edi Ramës”. /Versus.al







