
Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka vendosur që ditën e hënë, më 10 nëntor 2025, të mos marrë pjesë në mbledhjet e komisioneve parlamentare. Lajmi është bërë i ditur përmes një mesazhi që kryetari i grupit, Gazment Bardhi, i ka dërguar deputetëve demokratë.
“E hënë, në mbledhjen e Grupit Parlamentar në orën 12:30, nuk duhet të mungojë askush! Deri sa grupi parlamentar të ketë diskutuar dhe marrë një vendim përfundimtar, asnjë deputet nuk merr pjesë në mbledhjet e Komisioneve Parlamentare,” thuhet në mesazhin e Bardhit.
Ky veprim përbën një reagim të përkohshëm të demokratëve, pas situatës së krijuar në seancën e fundit, dhe synon që të gjithë vendimet e mëtejshme të merren vetëm pas diskutimeve brenda grupit parlamentar.
