
Seanca plenare që do të mbahet të hënën në Kuvendin e Shqipërisë pritet të jetë shumë e ngarkuar për shkak se do të ketë raportime të drejtuesve të disa prej institucioneve të drejtësisë. Pas shqyrtimit të dy projektvendimeve për ngritjen e komisioneve të Posaçme për Reformën Territoriale dhe atë Zgjedhore, Kuvendi do të dëgjojë raportimet e krerëve të institucioneve të drejtësisë.
Fillimisht në foltore do të raportojë kryeprokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela për të raportuar mbi veprimtarinë gjatë 2024-ës dhe gjendjen e kriminalitetit në vend, ndërsa më pas do të ketë raportim nga drejtuesi i SPAK-ut, Altin Dumani.
Gjithashtu pritet që të ketë raportime edhe nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani, Kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor, Ilir Rusi, dhe Kryetarja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Mirela Bogdani.
Çdo raportim do të shoqërohet me debat 150-minutësh nga grupet parlamentare. më herët krerët e këtyre institucioneve kanë raportuar në komisionin për Çështjet Ligjore ku iu përgjigjën një sërë pyetjesh nga ana e deputetëve opozitarë. Versus.al

