
Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës përmbyllëse në mbledhjen e grupit të PS-së, kritikoi faktin që opozitës i jepet shumë kohë gjatë seancave plenare. Rama tha se opozita e përdor kohën për të marr peng parlamentin për spektakël dhe deputetët e mazhorancës shikojnë spektakël.
“Duhet ta ritheksoj që në ndarjen e mandateve në Kuvend, diferenca është shumë e madhe, në ndarjen e orëve, duket sikur jemi në një Parlament, 51 me 49.
Kjo do të thotë që orët e vënë në dispozicion të opozitës janë anomalisht më tepër se opozitat parlamentare marrin në Parlamentet e BE”, deklaroi kryeministri.
Rama dha mesazh edhe për deputetët socialistë, teksa tha se “abuzimet” me kohën e fjalës së opozitës në Parlament, duhet që të marrin fund. Ndërsa po ashtu ai tha se socialistët nuk mund të qëndrojnë si spektatorë të një “teatri balte”.
“Me këtë nuk dua që të them, nuk duhet që t’i ulim orët opozitës, por dua që të them që duhet të shikojmë orët e marra me forcë dhe abuzim, me shkelje të procedurës parlamentare, jo për të marrë peng parlamentin, por publikun dhe për të pushtuar sallën e Kuvendit dhe për t’i vendosur deputetët e pozitës, që janë aty si spektatorë të një teatri balte. Kjo duhet të mbarojë, në asnjë Parlament demokratik, kjo gjë nuk i lejohet asnjë forcë politike”, shtoi Rama./Versus.al

