
Seanca plenare e Kuvendit të sotëm u shoqërua me debate të forta dhe tensione, duke përfunduar me braktisjen e saj nga opozita.
Edhe këtë të enjte, mazhoranca socialiste, me forcën e numrave, miratoi 7 projektligje dhe projektvendime.
Ndër vendimet më të rëndësishme ishte zgjedhja e Denar Bibës si anëtar i Autoritetit të Konkurrencës, i cili siguroi një mandat të dytë me 75 vota pro.
Gjithashtu u miratuan disa marrëveshje ndërkombëtare, si aderimi në Traktatin e Singaporit për ligjin e markave tregtare dhe Traktatin e Najrobit për mbrojtjen e simbolit olimpik, si dhe ndryshime ligjore në fushën e parqeve teknologjike dhe administrimit të pasurive të sekuestruara.
Projektligji i paraqitur nga deputeti Klevis Balliu për ndryshime në ligjin e pasurive të konfiskuara u rrëzua me shumicë votash (79 kundër).
Në fund të seancës u miratua edhe zgjedhja e Diana Dervishi si anëtare e Këshillit Drejtues të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) me 74 vota pro.
Opozita e Partisë Demokratike braktisi seancën duke protestuar kundër mënyrës sesi mazhoranca po kalonte pikat e rendit të ditës.
Projketligjet e votuar në Kuvend:
Projektligji “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Traktatin e Singaporit mbi Ligjin e Markave Tregtare, bërë në Singapor, më 27 mars 2006”.
VOTIMI: 79 pro, 0 abstenim, 4 kundër
Projektligji “Për ratifikimin e vendimit nr. 1/2025 të Komitetit të Përbashkët, i krijuar nga marrëveshja e tregtisë së lirë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Turqisë, për ndryshimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Turqisë, duke zëvendësuar protokollin II të saj, në lidhje me përcaktimin e konceptit të “produkteve origjinuese” dhe metodave të bashkëpunimit administrativ”.
VOTIMI: 80 pro, 0 abstenim, 0 kundër
Projektligji “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Traktatin e Najrobit për Mbrojtjen e Simbolit Olimpik, bërë në Najrobi, më 26 shtator 1981”.
VOTIMI: 79 pro, 0 abstenim, 2 kundër
Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 58/2022, “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin parqeve teknologjike dhe shkencore””.
VOTIMI: 78 pro, 0 abstenim, 4 kundër
Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 34/2019, datë 17.06.2019, “Pёr administrimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara”, të ndryshuar”. (Nismë e Klevis Balliut)
VOTIMI: 4 pro, 0 abstenim, 79 kundër
Projektvendimi “Për zgjedhjen e anëtarit të Komisionit të Autoritetit të Konkurrencës”
Eldian Balla– 3 pro, 5 abstenim, 71 kundër
Denar Biba– 75 pro, 0 abstenim, 5 kundër
Projektvendimi “Për zgjedhjen e anëtarit të Këshillit Drejtues të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare”
Diana Dervishi– 74 pro, 4 abstenim, 1 kundër.Versus.al


