
Drejtuesja politike e PD-së për Diasporën, Jozefina Topalli gjatë një prononcimi të saj për emisionin “Opinion” ngriti pretendimin se votat janë manipuluar masivisht në rang kombëtar.
Ajo rrëfeu një prej rasteve ku kishte parë lëvizje të shifrave në mënyrë të çuditshme konkretisht për qarkun e Beratit.
“Rastësisht u ula përballë ekranit të qarkut të Beratit. Aty vazhdonin numrat 5-5-5 dhe fletët e votimit çonin në 90% të PS-së. Unë mendova se është një rast, ka ndodh një manipulim. Vazhdova me kutinë e dytë dhe ishte e njëjta situatë. Derisa është mbyllur kutia e 13-të shkonte nga 85%, 90% për Beratin. Dita e dytë ishte pak më e ulët, por edhe në ditën e tretë e njëjta gjë. Edhe në sistemin e dikurshëm, kishte 98% 99% se të paktën ata që ishin në burg nuk shkonin për të votuar… Asnjeri nuk kërkon fitore në Berat, por 90%?!! Unë po flas për logjikën, nëse më pyet për fakt, unë kam vetëm logjikën. Matematika është logjikë, nuk shkon gjëja”, tha Topalli.
Sipas saj, i njëjti manipulim është bërë edhe me votën e emigrantëve shqiptarë në Greqi.
“Në rastin e diasporës në Greqi, KQZ ka bërë një marrëveshje me DHL-në dhe është kontrata mes palës shqiptare dhe shërbimit postar. DHL në Greqi ka marrë dy nënkontraktorë, është e paligjshme. Në 3 javë erdhën 17 mijë zarfe ndërkohë zyrat ku funksiononin këto nënkontraktorë ishin të lojërave të fatit.”- shtoi Topalli. Versus.al







