
Nëse ka diçka që partinë socialiste e ka shoqëruar vazhdimisht gjatë këtyre 11 viteve në pushtet, ka qenë inkriminimi i kryebashkiakëve të caktuar në afera kriminale për të cilat janë arrestuar apo vënë nën hetim.
Përgjatë qeverisjes së PS, 9 kryebashkiakë socialistë janë arrestuar ndërsa 5 të tjerë janë marrë nën hetim. Mes tyre edhe arrestimi i një ish-kryebashkiaku, Vangjush Dakos, historiku i akuzave për vepra penale të kryera nga kryebashkiakë socialist nis nga “shpërdorimi i detyrës”, “trafiku i drogës” dhe “skandalet seksuale” deri tek “mashtrimi”, abuzimit me fondet publike dhe “korrupsioni pasiv”. Më i fundit ishte rasti i arrestimit të kryebashkiakut të Tropojës Rexhë Byberi dhe zëvendësit të tij, Abedin Kërrnaja të akuzuar për veprën penale “shpërdorim detyre” dhe “prerja e paligjshme e pyjeve”.
Në të gjitha rastet, kryeministri Edi Rama i ka shpërfaqur kandidatët e tij për kryebashkiakë si “shërbëtorë besnikë” të popullit, por që më vonë i ka injoruar totalisht arrestimet e tyre duke deklaruar se përgjegjësia është personale e secilit dhe se drejtësia duhet të veprojë mbi bazën e provave. Pothuajse në çdo rast, PS dhe Edi Rama kanë 'lëshuar' përfaqësuesit e tyre, duke ripërsëritur sloganin 'drejtësia e re po funksionon, ndryshe nga qeveritë e mëparshme ku të zgjedhurit ishin të paprekshmit'".
Kryebashkiakët socialistë të arrestuar ndër vite:

Në vitin 2015, me urdhër të gjykatës së Vlorës, përfundoi në prangat e policisë kryebashkiaku i Vlorës Shpëtim Gjika për dhënien e lejeve të paligjshme të ndërtimit. Leja e ndërtimit lidhej me një pallat 11 katësh në Vlorë për të cilin u arrestua edhe biznesmeni Artur Haxhi. Në 2017-ën, gjykata e dënoi Shpëtim Gjikën me 4 vite burg që iu konvertua në shërbim prove për 2 vite për shkak të rrezikshmërisë së ulët të personit në fjalë. Asokohe arrestimi i Gjikës u cilësua nga opozita si urdhër politik i Ramës pasi ky i fundit e shihte Gjikën si armik të brendshëm në Partinë Socialiste.

Në 2016-ën, u arrestua kryebashkiaku i Dibrës, Shukri Xhelili pas publikimit të video-skandalit seksual ku shfaqej duke i kërkuar një shtetasje favore seksuale në këmbim të vendit të punës. Për ngjarjen, Xhelili u dënua me 2 vite e 4 muaj burg nga Gjykata e Krimeve të Rënda nën akuzën e “korrrupsionit pasiv” në formën e kërkimit të favoreve seksuale. Xhelili prezantohej nga Rama si “shërbëtor i devotshëm” i popullit dhe me këtë fitoi zgjedhjet lokale, por pas skandalit seksual kryesocialisti u distancua plotësisht duke mos ia përmendur më emrin Xhelilit.

Në 2016-ën, u arrestua kryebashkiaku i Kavajës Elvis Roshi me urdhër të prokurorisë së Tiranës. Roshi u vu në pranga për deklarim të rremë në formularin e vetëdeklarimit pasi kishte fshehur dënimin për përdhunim në Itali dhe dëbimin e ndodhur 2 herë nga Zvicra. Në përfundim të hetimeve, Elvis Rroshi u dënua me 5 muaj burg që iu konvertua në 60 orë punë në komunitet për akuzën e falsifikimit të dokumentit të vetëdeklarimit. Për rastin e Roshit KQZ shpalli të pavlefshëm mandatin e tij duke e pasuar më pas me një shkarkim nga kryeministri Edi Rama.

Në 2021-in, u arrestua kryebashkiaku i Lushnjës Fatos Tushe nën akuzën e veprës penale “shpërdorim detyre në bashkëpunim” për një tender të kanalizimeve me vlerë 24 milionë lekë ku dyshohet se është abuzuar me fondet publike. Së bashki me Tushen asokohe u arrestuan edhe 10 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të tjerë të bashkisë. Menjëherë pas arrestimit, kryeministri Edi Rama e shkarkoi një ditë më pas nga detyra si kryebashkiak. Tushe u dënua përfundimisht me 1 vit e 8 muaj burg për shpërdorim detyre.

Një tjetër skandal ishte arrestimi i kryebashkiakut të Vorës Agim Kajmaku në maj të vitit 2022 në Ascoli të Italisë ku së bashku me nipin e tij u kap duke transportuar mbi 20 kilogramë kokainë. Gjykimi i tij vijon në Itali ku ka kryer edhe veprën penale. Ndërsa Kajmaku akuzohet se falsifikoi edhe formularin e vetëdeklarimit ku fshehu një dënim të marrë në Greqi në 2003-in për falsifikim parash. Për Kajmakun, Rama bënte një mbrojtje të paprecedentë edhe nëpër studio televizive duke e cilësuar edhe si “njeri që nuk ka marrë një gjobë në jetën e tij”, ndërkohë që më pas rezultoi krejt e kundërta.

Më 15 mars të vitit 2023 me urdhër të SPAK u arrestua kryebashkiaku i Bulqizës Lefter Alla nën akuzën e abuzimit me fondet publike dhe të korrupsionit pasiv. Alla ishte akuzuar më herët nga opozita se shfaqej në një video duke konsumuar kokainë. Ndërsa në vitin 2019, djali i tij Enio Alla u arrestua nga forcat “Shqiponja’ pasi iu gjet kokainë në makinë. I pyetur për arrestimin e Allës, Rama u shpreh qartë se nuk do të bënte mbrojtjen e tij dhe theksoi se “kush ka punë me drejtësinë, të marrë avokat”. Alla u dënua përfundimisht me 2 vite burg duke përfituara nga gjykimi i shkurtuar.

Në qershor të vitit 2023 u arrestua ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako nën akuzën e dhënies së lejeve të ndërtimit për pallatin e ndërtuar nga tërmeti dhe për shëtitoren e ndërtuar në Currila të Vollgës. Tetë muaj pas arrestimit, Dako u lirua nga qelia pasi SPAK nuk arriti të përfundonte hetimet brenda afateve nën akuzën e shpërdorimit të detyrës për Dakon. Ky i fundit njihej edhe si mik personal i kryeministrit Edi Rama dhe ishte i vetmi ndër ish-kryebashkiakët të cilin nuk e lëshoi dhe e cilësoi ende mik pavarësisht shkeljeve të kryera nga Dako.

Skandal që dëmtoi fitoren e socialistëve në Kukës ishte arrestimi i kryebashkiakut Safet Gjici në qershor të vitit 2023 kur sapo ishte rikonfirmuar në detyrë për një mandat të dytë. Shkak për arrestimin e tij u bë publikimi i një videoje ku Gjici shfaqej teksa kryente marrëdhënie seksuale në zyrë me shtetasen Alma.K e cila kishte shkuar në bashki për të propozuar një projekt për tender për grumbullimin dhe strehimin e qenve endacakë të qytetit. Fillimisht shkalla e parë e GJKKO e dënoi Gjicin me dy vite burg për shpërdorim detyre por ky vendim u ndryshua nga Apeli i Gjykatës së Posaçme duke i ndryshuar akuzën për të cilën Gjici u arrestua duke e dënuar atë përfundimisht për veprën penale të korrupsionit pasiv. Kryeministri Edi Rama e cilësonte Gjicin gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve vendore të 14 majit si “kalin më të mirë” në shërbim të qytetarëve, por një ditë pas publikimit të video-skandalit, e shkarkoi nga detyra.

Jorgo Goro, kryebashkiaku i Himarës u arrestua në mars të vitit 2024 me urdhër të SPAK nën akuzën e tjetërsimit të dy pronave ku përfitues fundor i truallit, me një siperfaqe në total prej 10592 m2, ka qenë biznesmeni Artan Gaçi, ish deputet i PS dhe bashkëshorti aktual i deputetes Olta Xhaçka. Në total janë dy sipërfaqe toke të tjetërsuara, të dyja rreth 10 mije m2. SPAK i komunikoi sot Goros akuzën e shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim. Për Jorgo Goron në vitin 2022 Rama bëri një vlerësim duke e cilësuar si “shembull” për menaxhimin e situatës së mbetjeve në Himarë, dërsa pas arrestimit të tij kreu i qeverisë thjesht heshti.

Arrestimi më i fundit ishte ai i djeshmi i kryebashkiakut të Tropojës Rexhë Byberi dhe zëvendësit të tij Abedin Kërnaja me urdhër të SPAK nën akuzën e Shpërdorimit të detyrës në rastin e hapjes së një rruge me gjatësi 3.2 km e cila në pjesën dërrmuese kalon nëpër rrugën këmbësore ekzistuese. Byberi dhe Kërnaja u lanë në arrest shtëpie për shkeljen e ligjit për ndërtimin e dy rrugëve me vlerë 77 mln lekë.
Por përveç kryebashkiakëve të arrestuar, ka edhe të tjerë që janë nën hetim aktualisht:
Mark Babani, u mor nën hetim nga prokuroria e Përgjithshme në 2019-ën nën dyshimin e falsifikimit të formularit të vetëdeklarimit duke fshehur dy dënime që kishte marrë jashtë vendit.
Qerim Ismailaj, kryebashkiaku i Mallakastrës u mor i pandehur nga SPAK në nëntor të vitit 2021 nën akuzën e fshehjes së një dënimi të marrë në Greqi në vitin 2000.
Në nëntor të vitit të kaluar SPAK dërgoi për gjykim dosjen e kryebashkiakut të Rrogozhinës Edison Memolla i cili akuzohet për korrupsion zgjedhor pasi u publikua një audio ku ai i kërkonte faturistit të OSHEE që të mos i priste dritat një prej qytetarëve pasi do t’ja paguante ai faturën deri pasi të përfundonin zgjedhjet. Pavarësisht se ishte bërë me dije marrja nën hetim nga SPAK, Memolla u kandidua sërish në Rrogozhinë nga PS ku arriti të fitonte me diferencë të ngushtë votash. Po ashtu raportohet se Memolla është marrë nën hetim nga SPAK edhe për akuzën e pastrimit të parave në vlerën e 1 milionë eurove.
Pjerin Ndreu, kryebashkiaku i Lezhës u mor nën hetim këtë vit nga SPAK për shpërdorim detyre.
Kryebashkiaku i Kuçovës, Kreshnik Hajdari është marrë nën hetim nga SPAK që prej vitit të kaluar nën dyshimin e kryerjes së veprës penale “Falsifikim i dokumenteve” për mosdeklarimin e një dënimi prej 4 muajsh që kishte marrë në 1999-ën për hyrje të paligjshme në Greqi. Versus.al








