Në ditën kur mbush plot 1 vit nga arrestimi i tij, ish-presidenti Ilir Meta, ka dorëzuar sërish kërkesë për lirimin nga qelia e paraburgimit ‘313’.
Në argumentin e dhënë pretendohet se tashmë ai nuk ka asnjë mundësi që të ndikojë për prishjen e provave pasi hetimet për dosjen e aferës “CEZ-DIA” dhe lobimin për ish-LSI-në në SHBA, janë mbyllur prej muajsh.
12 muaj në paraburgim
Si sot, një vit më parë rreth orës 13:15, Ilir Meta po kthehej nga një vizitë në Kosovë dhe pritej që të mbante një konferencë për mediat në selinë e Partisë së Lirisë. Por në hyrje të kryeqytetit teksa priste në trafik, disa automjete private rrethuan makinën ku ndodhej ish-presidenti dhe shoferi i tij, Artemis Peca.
Nga makinat dolën efektivë të maskuar, pjesë e Forcave Operacionale të cilët nxorrën me forcë Metën nga makina me të cilën udhëtonte dhe më pas e dërguan në policinë e Tiranës ku u mbajt për 2 orë para se të transferohej në bllokun e sigurisë ku priti datën për seancën ku iu caktua masa e arrestit me burg.
Gjatë seancës për caktimin e masës që zgjati me orë të tëra, Meta pati edhe përplasje me kryeprokurorin e posaçëm, Altin Dumanin të cilit iu drejtua me fjalë fyese.
Mënyra e arrestimit të kreut të Partisë së Lirisë
Përsa i takon metodës së zgjedhur për arrestimin e Metës, edhe kreu i SPAK, Altin Dumani tha se ajo nuk ishte mënyra më e mirë, por theksoi se SPAK nuk e ka patur në dorë mënyrën e ekzekutimit të masës së arrestit.
Ish-bashkëshortja e Metës, Monika Kryemadhi e cila po ashtu është e pandehur në dosjen hetimore të SPAK, në një konferencë për mediat nuk kurseu zemërimin ndaj efektivit që e tërhoqi me dhunë kreun e PL dhe paralajmëroi se do ta identifikonte.
Komunikimet e Ilir Metës
Përgjatë një viti, shpesh herë Meta ka pretenduar se i janë bërë kontrolle të vrullshme me qëllim për t’i ushtruar presion. Ndërsa në momente të ndryshme komunikoi me mediat nëpërmjet letrave, duke arritur kulmin kur regjistroi një “voice” nga qelia për ta transmetuar në një emision televiziv.
Më 2 shtator të këtij viti, dosja në ngarkim të Ilir Metës, Monika Kryemadhit, Fatime Kryemadhit, Pirro Xhixhos dhe Ema Çokut, ka kaluar për gjykim. Ish-presidenti, Ilir Meta akuzohet për pastrim parash, fshehje pasurie dhe korrupsion pasiv. Të njëjtat akuza rëndojnë edhe ndaj Kryemadhit, ndërsa e ëma akuzohet për pastrim parash. Versus.al







