POLITIKË /

U shpall "non grata" në 2021, DASH bën njoftimin për Berishën: Mund të udhëtojë drejt SHBA

Pyetja kishte të bënte me mundësinë që Berisha të vizitojë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pavarësisht se ndaj tij dhe familjes së tij është marrë një vendim “non grata” në maj të vitit 2021.

Shkruar nga Versus

 

U shpall "non grata" në 2021, DASH bën njoftimin për

Gazetari amerikan Marc Caputo, i cili punon për agjencinë e njohur “Axios”, ka ngritur një pyetje direkte ndaj Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) në lidhje me statusin e vizës së ish-kryeministrit shqiptar dhe liderit të opozitës, Sali Berisha. Pyetja kishte të bënte me mundësinë që Berisha të vizitojë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pavarësisht se ndaj tij dhe familjes së tij është marrë një vendim “non grata” në maj të vitit 2021.

Në një koment të publikuar në platformën “X” (ish-Twitter), Caputo deklaroi: “E pyeta Departamentin e Shtetit për statusin e vizës së Berishës dhe më thanë se ai mund të vijë në SHBA”.

U shpall "non grata" në 2021, DASH bën njoftimin për

Gazetari gjithashtu ka ndarë publikisht përgjigjen që ka marrë nga një zëdhënës i DASH, ku thuhet:

“Ne japim rregullisht përjashtime për të lehtësuar udhëtimin e individëve të caktuar në SHBA, në përputhje me detyrimet ndërkombëtare dhe interesat tona kombëtare. Si e tillë, ne nuk do të lejojmë që interesat tona të politikës së jashtme apo marrëdhëniet me Shqipërinë të mbahen peng nga vendime të politizuara të epokës së Biden-it.”

Ky reagim vjen në një kohë kur debati për statusin ndërkombëtar të Sali Berishës është rikthyer në fokus, veçanërisht në kuadër të fushatës zgjedhore në Shqipëri dhe përfshirjes së figurave amerikane në fushatën e Partisë Demokratike. Vetë Caputo shpërndau gjithashtu një artikull të gazetës prestigjioze “Wall Street Journal”, ku ishte publikuar një intervistë me drejtuesin e fushatës së PD-së, Chris LaCivita, i njohur për bashkëpunimin e tij me figura të rëndësishme të politikës amerikane si ish-presidenti Donald Trump.

Sali Berisha u shpall “non grata” nga DASH në 19 maj 2021, për shkak të “përfshirjes në korrupsion madhor dhe ndërhyrje në proceset publike”, sipas deklaratës zyrtare të ish-Sekretarit të Shtetit, Antony Blinken. Në atë kohë, Berisha dhe familja e tij ndaloheshin nga hyrja në territorin amerikan. Megjithatë, vetë Berisha ka mohuar kategorikisht të gjitha akuzat, duke i cilësuar si politike dhe të bazuara në shpifje të orkestruara nga kryeministri Edi Rama në bashkëpunim me filantropin amerikan George Soros.

Berisha ka ndërmarrë dhe hapa ligjorë për të sfiduar këtë vendim, përfshirë një padi të ngritur në një gjykatë në Paris kundër Blinken, siç ka bërë të ditur vetë në media dhe deklarata publike.

Reagimi i fundit i DASH, megjithëse nuk konfirmon një përjashtim konkret të dhënë për Berishën, tregon se ekziston mundësia që ai të marrë leje të veçantë për të udhëtuar në SHBA, nëse kjo përputhet me interesat kombëtare të vendit dhe marrëdhëniet ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara me Shqipërinë.

Përkthyer ndryshe, përjashtimi nga vendimi “non grata” mbetet në diskrecionin e autoriteteve amerikane dhe mund të bëhet rast pas rasti, bazuar në konsiderata të politikës së jashtme.

Ky zhvillim pritet të ndezë më tej debatin politik në vend, ndërsa PD dhe Berisha vetë vijojnë të deklarojnë se shpallja “non grata” është një padrejtësi që do të korrigjohet në të ardhmen e afërt. Ndërkohë, kampi kundërshtar e cilëson këtë si një tjetër përpjekje për të relativizuar sanksionet ndërkombëtare ndaj një lideri politik të akuzuar për korrupsion. /Versus.al/

Tags:

berisha dash

Poll
Më poshtë do të gjeni dhe kandidatët e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për të gjitha qarqet: