Partia Demokratike ka reaguar lidhur me datën 27 gusht të caktuar nga kryeparlamentarja Elisa Spiropali për mbledhjen e Këshillit të Legjislacionit që do të trajtojë kërkesën e Gjykatës Kushtetuese për mbajtjen e seancës të jashtëzakonshme ku do diskutohet kërkesa për shqyrtimin e vlefshmërisë së mandatit të Olta Xhakës.
Në reagimin e PD, ka kritika ndaj kryeparlamentares Elisa Spiropali duke e akuzuar këtë të fundit për shkelje të Kushtetutës pasi nuk e ka thirrur seancën plenare brenda afatit 3 ditor.
Në kërkesën e firmosur nga kreu i grupit parlamentar, Gazment Bardhi thuhet se Rregullorja e përcakton qartë se duhet që sesioni parlamentar të mblidhet brenda 3 ditëve.
“Rezulton se ju keni thirrur në fakt një sesion të jashtëzakonshëm të Kuvendit, duke urdhëruar “mbledhjen jashtë sesionit të Këshillit të Legjislacionit”, por në kundërshtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit, së pari, e keni caktuar mbledhjen e organeve të Kuvendit përtej afatit “3 ditor” që përcakton qartësisht Rregullorja; dhe së dyti, nuk keni caktuar mbledhje të seancës plenare.” – thuhet në përgjigjen zyrtare të grupit parlamentar të PD.
Prej kohësh çështja e mandatit të deputetes Olta Xhaçka është kthyer në qendër të marrëdhënieve Gjykatë Kushtetuese-Kuvend. Opozita dorëzoi në Gjykatën Kushtetuese pretendimin se Xhaçkës duhej t’i hiqej mandatin me argumentin se është në konflikt interesi pasi bashkëshortit të saj i është dhënë statusi “investitor strategjik” nga qeveria.
Gjykata Kushtetuese kërkon që Kuvendi të votojë pro shqyrtimit të vlefshmërisë së mandatit në institucionin më të lartë kushtetues. Ndërsa socialistët e kanë shmangur diçka të tillë duke votuar më herët kundër. Por me këmbënguljen e Kushtetueses, socialistët vendosën t’i drejtohen Komisionit të Venecias për opinion lidhur me këtë çështje. Versus.al








