
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka ngritur publikisht alarmin institucional përpara miratimit të buxhetit të vitit 2026, duke iu drejtuar me një letër zyrtare Këshillit Bashkiak të Tiranës. Mesazhi është i drejtpërdrejtë dhe pa ekuivok: çdo buxhet i miratuar pa konsultimin dhe vullnetin e Kryetarit të zgjedhur përbën shkelje ligjore, devijim demokratik dhe përjashtim të qëllimshëm të autoritetit të dalë nga vota e qytetarëve.
Në letrën e tij, Veliaj thekson se buxheti është akti më i rëndësishëm politik dhe financiar i një bashkie, instrumenti përmes të cilit realizohet mandati i Kryetarit të Bashkisë, mandat i dhënë drejtpërdrejt nga qytetarët e Tiranës. Sipas tij, çdo tentativë për ta trajtuar buxhetin si një procedurë formale, pa përfshirjen e kryetarit, e zhvesh atë nga legjitimiteti demokratik.
Duke iu referuar qartë ligjit për vetëqeverisjen vendore dhe ligjit për financat vendore, Veliaj nënvizon se propozimi i buxhetit është atribut ekskluziv i Kryetarit të Bashkisë. Çdo miratim që anashkalon këtë kompetencë, sipas tij, nuk pasqyron vullnetin e qytetarëve, por krijon një realitet administrativ artificial, të shkëputur nga zgjedhjet dhe nga parimet e autonomisë vendore.
Kryebashkiaku e përshkruan situatën aktuale si veçanërisht shqetësuese, duke theksuar se realizimi i buxhetit 2025 ndodhet në nivele alarmante, larg standardeve historike të Bashkisë së Tiranës gjatë ushtrimit normal të mandatit të tij. Ky fakt, sipas Veliajt, është prova e qartë e një paralize institucionale të qëllimshme, që po i imponohet bashkisë.
Në këtë kontekst, ai paralajmëron se miratimi i buxhetit 2026 pa konsultim real dhe substancial me Kryetarin e zgjedhur do të thellonte krizën, duke penguar drejtpërdrejt realizimin e mandatit demokratik dhe prioritetet qeverisëse të votuara nga qytetarët e Tiranës.
Veliaj kërkon zyrtarisht që Këshilli Bashkiak të zhvillojë konsultim institucional me të përpara çdo shqyrtimi të buxhetit, duke sqaruar se dëgjesat publike të zhvilluara pa pjesëmarrjen ose konfirmimin e Kryetarit nuk mund të zëvendësojnë këtë proces, pasi nuk mbartin legjitimitet demokratik. Ai thekson se një buxhet i pa propozuar dhe i pa konfirmuar nga Kryetari do të institucionalizonte përjashtimin e tij nga funksionet kushtetuese.
Në fund të letrës, Veliaj e ngre çështjen në nivel parimor, duke paralajmëruar për krijimin e një precedenti të rrezikshëm, ku organi monokratik i zgjedhur zëvendësohet de facto nga struktura të emëruara ose të deleguara përkohësisht. Një zhvillim i tillë, sipas tij, do të kishte pasoja serioze jo vetëm për qeverisjen vendore, por edhe për rendin demokratik lokal dhe autonominë e vetëqeverisjes. /VERSUS

